Inflacioni bazë u frenua në nëntor, por mbetet mbi inflacionin e shportës së plotë të konsumit
Inflacioni bazë pësoi një rënie në muajin nëntor, duke frenuar përkohësisht tendencën në rritje që kishte shfaqur gjatë vitit 2025. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë zbriti në nivelin 2.98%, pasi në tetor kishte arritur kulmin pothuajse dy-vjeçar në 3.13%. Megjithatë, inflacioni bazë mbetet më i lartë në rritje vjetore krahasuar me nivelin prej 2.34% të një viti më parë.
Gjithashtu, inflacioni bazë është dukshëm mbi nivelin zyrtar të inflacionit, i matur për të gjithë shportën e mallrave të konsumit. Sipas INSTAT, inflacioni në nëntor ishte 2.1%, niveli më i ulët në tetë muajt e fundit. Megjithatë, vlerësohet se inflacioni i ulët për tërësinë e mallrave të konsumit po ndikohet kryesisht nga përbërësit e tij më të luhatshëm dhe sidomos nga mallrat e importit.
Inflacioni i ulët i importuar ndikohet pjesërisht edhe nga pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit valutor. Leku ka vazhduar të forcohet ndaj Euros dhe valutave të tjera kryesore të tregtisë së jashtme edhe në 2025, ndonëse me ritme më të ngadalta krahasuar me vitet e mëparshme.
Nënshporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.6% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, si produktet ushqimore dhe ato energjetike, dhe ka si qëllim kryesor të zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga lëvizjet me natyrë më afatshkurtër. Për këtë arsye, inflacioni bazë është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për nëntorin pësoi rënie në 3.26%, nga 3.5% që kishte qenë për tetorin, por mbetet gjithashtu në rritje krahasuar me nivelin prej 2.22% të një viti më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.
Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin nëntor ra në 3.12%, nga 3.36% që kishte qenë në muajin tetor.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të vitit 2025, vërejti se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin prej 3% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Në mungesë të goditjeve të ofertës, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky kthim do të mbështetet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, moderimi i mbiçmimit të Lekut dhe nga qëndrueshmëria e presioneve të brendshme, në pasqyrim të rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin.
