Rritja e inflacionit shqetëson konsumatorët, ndërsa bizneset dhe agjentët financiarë janë më të qetë.
Inflacioni në rritje gjatë muajve të fundit ka shtuar shqetësimet e konsumatorëve lidhur me rritjen e çmimeve, ndërkohë që bizneset dhe agjentët financiarë duket se janë ndikuar më pak.
Sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti, pritjet e konsumatorëve për inflacionin pas një viti janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 11.5%. Kjo shifër është 2.3 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me tremujorin e parë.
Bankës së Shqipërisë thekson se pritjet e konsumatorëve për inflacionin kanë reflektuar rritjen e inflacionit të perceptuar prej tyre gjatë tremujorit të dytë. Ndërkohë, pritjet afatshkurtra të bizneseve dhe të agjentëve financiarë mbeten të qëndrueshme pranë objektivit prej 3.0% për tremujorin e dytë të vitit 2026. Konkretisht, këta agjentë parashikojnë që inflacioni pas një viti të jetë përkatësisht 3.2% dhe 3.1%.
Për një horizont afatmesëm, që përfshin dy deri në tre vjet, pritjet e agjentëve financiarë kanë mbetur të qëndrueshme prej rreth një viti, duke u ruajtur pranë nivelit 3%. Ndërsa pritjet e bizneseve për të njëjtën periudhë rezultojnë në 3.4% dhe 3.8%, duke shënuar një rishikim në rënie krahasuar me tremujorin paraardhës.
Që prej muajit mars të këtij viti, ekonomia po përballet me një tendencë në rritje të inflacionit, e shkaktuar kryesisht nga kriza gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës bruto. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni për muajin korrik arriti në 3.4%, duke prekur nivelin më të lartë në dy vite e gjysmë. Megjithatë, inflacioni bazë, që përjashton çmimet e produkteve ushqimore dhe energjetike, në muajin qershor arriti në 3.54%, niveli më i lartë që prej vitit 2023.
Megjithëse inflacioni është rritur sipër objektivit të Bankës së Shqipërisë, kjo e fundit deri tani nuk ka reaguar me rritje të normës bazë të interesit. Guvernatori Sejko e ka argumentuar këtë qëndrim me besimin se vala e inflacionit do të jetë kalimtare, por edhe me natyrën shtrënguese të politikës fiskale dhe me forcimin e mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit.
Konflikti në Lindjen e Mesme, i cili ka shkaktuar shtrenjtim të ndjeshëm të karburanteve, mbetet i vështirë për t’u parashikuar dhe për momentin nuk duket se do të ketë një zgjidhje të shpejtë në horizont.
Për sa i përket inflacionit bazë dhe atij të brendshëm, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e tyre sipër objektivit po shkaktohet kryesisht nga çmimet e qirave. Megjithatë, Banka e Shqipërisë pranoi në deklaratën e fundit pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se një inflacion i qëndrueshëm sipër objektivit mund të sjellë rritje të pritjeve inflacioniste në ekonomi dhe të gjenerojë presione më afatgjata për rritjen e çmimeve.
Tendenca në rritje e inflacionit tashmë është përcjellë në pritjet inflacioniste të konsumatorëve, ndërsa bizneset ende nuk duken shumë të shqetësuara dhe nuk i kanë zhvendosur për lart pritjet e tyre.
