Vrasja e turistit në Ksamil, Balla: Kanë ardhur në besën tonë, drejtësia të bëjë shembull autorin
TIRANË – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vrasjes së turistit portugez 21-vjeçar, Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Si autor i dyshuar për ngjarjen është arrestuar truproja i kompleksit “Principotes”, Sokrat Vata.
Përmes një reagimi publik, Balla vlerësoi punën e Policisë së Shtetit për arrestimin e autorit të dyshuar vetëm pak orë pas krimit. Ai theksoi se ngjarje të tilla nuk janë në traditën shqiptare dhe se drejtësia duhet të veprojë për të krijuar një precedent.
“Policia ka arritur të ndalojë në kohë rekord autorin e një krimi tepër të rëndë në Ksamil. Humbja e jetës së një turisti të huaj nuk është në traditën e shqiptarit. Ata vijnë në Shqipëri në besën dhe mikpritjen e shqiptarit. Drejtësia duhet të bëjë detyrën dhe shembullin”, shkroi Balla.
Ndërkohë, për këtë ngjarje janë shoqëruar dhjetëra persona që mund të kenë pasur dijeni. Bekim Bulica, administratori real i biznesit, që figuron në pronësi të një të moshuare, është shpallur në kërkim.
