Korporata hap thirrjen për Palasën, privati merr tokë për hotele në këmbim të objekteve publike
Korporata e Investimeve Shqiptare ka nisur procedurën ndërkombëtare për projektin “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë”. Kjo marrëveshje synon zhvillimin e dy hoteleve në pronat shtetërore në Palasë dhe Dhërmi, kundrejt ndërtimit të një kompleksi të ri publik pranë rreth-rrotullimit të Palasës.
Sipas skemës, investitori privat do të projektojë dhe ndërtojë dy struktura akomoduese në bregdet. Në këmbim, ai do të financojë objektet publike të projektit dhe do t’i kalojë Korporatës një pjesë të sipërfaqes së zhvilluar. Kontrata është konceptuar si sipërmarrje dhe përfshin tri zona të veçanta: një zonë për funksione publike dhe dy zona për zhvillim hotelerie dhe shërbime turistike.
Zona publike pranë rrethrrotullimit të Palasës
Zona 1 ndodhet pranë rrethrrotullimit të Palasës, në pikën ku aksi kryesor lidhet me rrugën e re drejt Drimadhës dhe Dhërmiut. Pjesa e përcaktuar për këtë zonë kadastrale ka një sipërfaqe rreth 54,391 metra katrorë dhe është përcaktuar me vendim qeveritar si pronë e përshtatshme për zhvillimin e komponentit publik të projektit. Pozicionimi në anën e majtë të aksit rrugor favorizon daljet e shpejta drejt Palasës, Drimadhës, Dhërmiut dhe rrugëve kryesore të zonës, duke qenë e favorshme për shërbimet operative dhe emergjente, si policia, zjarrfikësit dhe ambulancat.
Qendra e re do të përfshijë Stacionin e Policisë në Palasë, Stacionin e Policisë Kufitare të Dhërmiut, ambiente për Gardën e Republikës, një strukturë zjarrfikëse dhe shërbime shëndetësore bazë e emergjence. Programi orientues parashikon sipërfaqe rreth 900 metra katrorë për strukturat policore, 730 metra katrorë për Gardën, 170 metra katrorë për zjarrfikësit dhe deri në 217 metra katrorë për shërbimin shëndetësor.
Zhvillimi i hotelerisë në Palasë dhe Dhërmi
Zona 2 përfshin një pronë prej 2,555 metra katrorë në Palasë, e cila lidhet me funksionet ekzistuese të Stacionit të Policisë dhe është transferuar në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare. Konkurrentët duhet të paraqesin një koncept arkitekturor dhe funksional me fokus te hoteleria dhe shërbimet turistike. Me një intensitet zhvillimi prej 1.4, sipërfaqja maksimale e projektuar në këtë pronë llogaritet në rreth 3,577 metra katrorë.
Zona 3 përfshin pronën e Pikës Kufitare të Dhërmiut, e cila aktualisht përdoret nga Policia Kufitare dhe përbëhet nga një truall prej rreth 1,500 metrash katrorë dhe një ndërtesë ekzistuese prej rreth 312 metrash katrorë. Dokumentet e procedurës theksojnë se objekti aktual nuk përfaqëson një zhvillim të optimizuar për potencialin ekonomik të vendndodhjes, e cila karakterizohet nga prania e lartë e strukturave akomoduese dhe fluksit sezonal të vizitorëve. Investitorëve u kërkohet të propozojnë një zhvillim hotelerie që të integrohet me vijën bregdetare, peizazhin dhe ndërtimet përreth. Sipërfaqja maksimale orientuese e zhvillimit në Dhërmi është rreth 2,100 metra katrorë.
Pragu minimal prej 35%
Investitori privat duhet t’i ofrojë Korporatës të paktën 35% të sipërfaqes totale të zhvilluar në secilën strukturë akomoduese. Ofertat më të larta do të kenë peshë në përzgjedhjen e fituesit. Pjesa që i takon Korporatës në dy strukturat akomoduese do të përdoret si kundërvlerë për ndërtimin e Qendrës së Shërbimeve Publike. Partneri privat do të mbulojë gjithashtu kostot e projektimit, taksat, tarifat, lejet, mbikëqyrjen e punimeve dhe regjistrimin e objekteve të reja.
Përzgjedhja në dy faza
Procedura do të zhvillohet në dy faza. Fillimisht, aplikantët duhet të dorëzojnë një masterplan, tri projekt-ide arkitekturore dhe dokumentacionin që provon kapacitetet e tyre financiare dhe teknike. Pesë kandidatët më të vlerësuar do të kalojnë në fazën e dytë, ku projektet arkitekturore do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare dhe do të hapen ofertat financiare. Kandidatët duhet të demonstrojnë akses në të paktën 7 milionë euro burime financiare. Aplikimet duhet të dorëzohen deri më 10 shtator 2026, ora 15:00.
