Shqipëria, ndër vendet më të prekura nga rënia e lindjeve

IOM: Shqipëria, ndër vendet më të prekura në Europë nga rënia e lindjeve dhe popullsisë

Tendencat demografike në Europë po paraqesin një realitet të ri kompleks, ku Shqipëria rezulton të jetë një nga vendet më të goditura nga kombinimi i rënies së fertilitetit dhe emigracionit masiv të popullsisë në moshë riprodhuese.

Sipas Raportit Botëror të Migracionit 2026, ndërsa Europa po përjeton ndryshime të thella strukturore, rajoni mbetet në qendër të një krize demografike që rrezikon të theksohet në dekadat e ardhshme. Shqipëria është përmendur si një nga vendet më të prekura.

Raporti nënvizon se në vende si Shqipëria, Lituania, Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina, procesi i emigracionit po ndikon drejtpërdrejt në humbjen e lindjeve të mundshme.

Ndërsa kontinenti europian ka regjistruar një rënie të numrit të qytetarëve të tij që jetojnë jashtë vendit, duke shkuar nga rreth 20 milionë në vitin 1990 në 16 milionë në vitin 2024, Shqipëria ndjek një trajektore të kundërt me një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Shqipëria klasifikohet ndër vendet ku shkalla e lindshmërisë është nën nivelin e zëvendësimit. Emigrimi i popullsisë në moshë riprodhuese përkeqëson këtë situatë, pasi largimi i të rinjve ul potencialin demografik të vendit për të ardhmen.

Ndonëse disa vende europiane, si Gjermania dhe Italia, arrijnë të zbusin rënien e popullsisë përmes imigracionit, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me një rrjedhje të vazhdueshme të kapitalit njerëzor, duke e bërë stabilizimin demografik shumë më sfidues.

Analiza e të dhënave të periudhës 2005–2024 tregon se ndërsa vende si Luksemburgu, Malta apo Irlanda kanë shënuar rritje të popullsisë, një numër i konsiderueshëm vendesh, kryesisht në Europën Lindore dhe Ballkan, kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Në shumë prej këtyre shteteve, përfshirë Shqipërinë, parashikimet tregojnë për vazhdimin e kësaj tendenceje negative nëse nuk ndërmerren politika efektive për të nxitur fertilitetin dhe për të frenuar largimin e forcës së re të punës.

Raporti thekson se pasiguria gjeopolitike dhe migracioni i shkaktuar nga konfliktet kanë ndryshuar hartën e korridoreve migratore në Europë, duke e kthyer Gjermaninë në një nga destinacionet kryesore globale.

Megjithatë, për vende si Shqipëria, sfida mbetet se si të transformohet një ekonomi me emigracion të lartë në një ekonomi që ruan dhe zhvillon burimet e veta njerëzore, në një kohë kur popullsia po plaket me shpejtësi.

Scroll to Top