Kërkimi shkencor: Shqipëria shpenzon vetëm 1.5 euro për frymë për teknologjinë dhe shëndetësinë, duke arritur vetëm 3.7% të mesatares së BE-së
Shqipëria ka shënuar një rritje të fondeve buxhetore për kërkim-zhvillim gjatë vitit 2025. Megjithatë, shumica e këtyre fondeve duket se janë alokuar për universitetet dhe organizatat joqeveritare, ndërsa një pjesë shumë e vogël ka shkuar drejt dy sektorëve kyç: prodhimit industrial dhe teknologjisë, si dhe shëndetësisë.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se në vitin 2025, Shqipëria ka alokuar 81.4 milionë euro për kërkim-zhvillim, që përfaqëson 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila është 0.69% e PBB-së.
Në raport me PBB-në, treguesi i Shqipërisë prej 0.3% e rendit atë të shtatën më të ulët mes vendeve të raportuara. Mali i Zi është në vendin e fundit në Europë me 0.02% të PBB-së. Mungojnë të dhënat për Kosovën, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut. Nga vendet e rajonit, Serbia kryeson me 0.41% të PBB-së.
Edhe pse Shqipëria ka treguar përmirësime krahasuar me një dekadë më parë, kur shihet shpenzimi për kërkim-zhvillim për frymë, financimi mbetet shumë i ulët, veçanërisht për industrinë dhe arsimin. Në këtë aspekt, Shqipëria, e cila del më mirë për shkak të madhësisë së vogël të ekonomisë, renditet e katërta nga fundi me 34.4 euro për frymë. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian është 289 euro për frymë, ose 12% e saj.
Më shqetësuese është fakti se nga këto fonde, vetëm 1.5 euro për frymë dedikohen për industrinë dhe shëndetësinë, krahasuar me 40 euro mesatare në BE, duke arritur vetëm 3.7% të kësaj mesatareje.
Specifikisht:
- Fondet për prodhimin industrial janë vetëm 0.6 euro për frymë, kundrejt 27.5 euro në BE dhe 8 euro në Serbi.
- Fondet për shëndetësinë janë 0.9 euro për frymë, kundrejt 19.3 euro në BE dhe 3.3 euro në Serbi.
Sipas të dhënave të Eurostat, pjesa dërrmuese e buxhetit të kërkim-zhvillimit në Shqipëri klasifikohet në kategorinë e avancimit të përgjithshëm të dijes, duke përfshirë edhe fondet e përgjithshme universitare.
