Investimet në Shqipëri: Pse Arsimi Profesional është Çelësi

Rama: Forcimi i kapitalit njerëzor, vendimtar për suksesin e ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme

Kryeministri Edi Rama theksoi sot rëndësinë e arsimit profesional për përgatitjen e specialistëve që kërkon ekonomia e re. Gjatë një interviste në podkastin “Flasim”, Rama theksoi se kapitali njerëzor është përcaktues edhe për suksesin e ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme.

“Sot Shqipëria nuk ka më problem mungese investimesh. Përkundrazi, po përballemi me gjithmonë e më shumë investime dhe, rrjedhimisht, me një nevojë në rritje për specialistë, teknikë dhe profesionistë të kualifikuar. Këto investime, që shtrihen në fusha si turizmi i nivelit të lartë, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika dhe shërbimet e tjera bashkëkohore, kërkojnë një kapital njerëzor të kualifikuar,” – shtoi Rama.

Sipas tij, kërkesa për fuqi të kualifikuar po rritet me ritme shumë më të shpejta sesa oferta.

“Pikërisht për këtë arsye, arsimi profesional merr gjithnjë e më shumë një rol strategjik. Nëse dikur konsiderohej si një alternativë për ata që nuk arrinin të ndiqnin studimet universitare, sot ai është bërë një nga dy rrugët kryesore dhe madje një rrugë me garanci të mëdha drejt punësimit dhe karrierës. Kjo dëshmohet nga fakti që jo vetëm numri i nxënësve është rritur, por edhe nga rezultatet konkrete: 67% e atyre që përfundojnë arsimin profesional punësohen menjëherë. Në disa fusha, siç është turizmi, për shembull, 100% e të diplomuarve nga arsimi profesional gjejnë menjëherë punë,” – theksoi ai.

Rama theksoi se objektivi është i qartë: të çojnë përpara projektin e nisur vite më parë për ta bërë arsimin profesional një aset të barabartë me arsimin universitar në Shqipëri dhe t’u japin mundësi investitorëve të mbështeten tek burime njerëzore të kualifikuara. (ATS H)

Scroll to Top