Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan rënie në tremujorin e parë
Investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit kanë shënuar një rënie në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vlera e këtyre investimeve zbriti në 55 milionë euro, duke u regjistruar 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Investimet shqiptare jashtë vendit kryesisht janë përqendruar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit. Këto injektime kapitali përbënin rreth gjysmën e fluksit të ri të investimeve shqiptare jashtë vendit. Pjesa tjetër përbëhet kryesisht nga fitime të riinvestuara të kompanive të zotëruara jashtë vendit.
Megjithatë, bilanci neto i investimeve të huaja direkte për tremujorin e parë të vitit 2026 rezultoi negativ, me një vlerë totale prej 348 milionë eurosh. Ky tregues është në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një bilanc negativ në llogarinë e investimeve të huaja nënkupton se investimet e huaja direkte hyrëse në Shqipëri vazhdojnë të jenë shumë më të larta se investimet shqiptare jashtë vendit.
Në vitet e fundit, ndërsa investimet e huaja direkte në Shqipëri po arrijnë vlera rekord, po vërehet një tendencë e ngjashme rritjeje edhe për investimet shqiptare jashtë vendit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për vitin 2025, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit ishte 241 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë. Edhe në tremujorin e parë të vitit 2025, pati një rënie të lehtë, por më pas investimet shqiptare jashtë vendit iu rikthyen rritjes.
Disa nga grupet më të mëdha të biznesit në Shqipëri po kryejnë investime të konsiderueshme në tregje të huaja. Ndryshe nga vite më parë, ku investimet shkonin kryesisht në tregjet fqinje, tani ka grupe shqiptare që investojnë shuma të konsiderueshme edhe në tregjet e Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut. Në vitet e fundit, këto investime janë orientuar kryesisht drejt pasurive të paluajtshme, duke ndjekur modelin e biznesit që grupet shqiptare kanë konsoliduar brenda vendit.
Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit nuk ofrojnë detaje mbi shpërndarjen gjeografike apo sektoriale. Për këtë arsye, nuk ekziston ende një “hartë” e qartë e investimeve shqiptare jashtë vendit, apo vendeve dhe sektorëve ku po përqendrohet rritja në vitet e fundit.
Megjithatë, përveç investimeve në tregje më të largëta, të lidhura kryesisht me sektorin e pasurive të paluajtshme, disa nga grupet më të rëndësishme shqiptare të biznesit janë të pranishme prej vitesh edhe në tregjet fqinje, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në fund të vitit 2025, investimet shqiptare në Kosovë kishin arritur vlerën e 586 milionë eurove. Në ndarjen sipas sektorëve, këto investime dominohen nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, të cilat zënë afërsisht një të katërtën e vlerës totale, ndërsa ndërtimi, shërbimet financiare, prodhimi dhe tregtia kanë një peshë më të ulët.
