Kryenegociatori i Iranit: Përparim në bisedime me SHBA, marrëveshja ende e largët
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili luan një rol të rëndësishëm në negociatat mes Teheraniit dhe Uashingtonit, ka vënë në dukje se ka pasur “përparim” në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, por theksoi se të dy palët janë “ende larg” arritjes së një marrëveshjeje.
“Kemi bërë përparim në negociata, por ka ende shumë dallime. Disa pika themelore mbeten të pazgjidhura”, tha Qalibaf. Ai shtoi në një intervistë të gjatë televizive në Iran se “jemi ende larg” arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
Mohammad Baqer Qalibaf mori pjesë në negociatat e zhvilluara më 11-12 prill në Islamabad me delegacionin amerikan, të cilin e kryesonte zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance. Gjatë takimeve në kryeqytetin pakistanez, Qalibaf deklaroi: “Ne e bëmë të qartë se nuk kemi absolutisht asnjë besim te Shtetet e Bashkuara”.
Ai vijoi duke thënë se SHBA-të “duhet të braktisin veprimet e njëanshme dhe qasjen shtrënguese që karakterizon qasjen e tyre”.
Sipas kryetarit të parlamentit iranian, Teherani ra dakord për një armëpushim dyjavor, i cili hyri në fuqi më 8 prill, duke pranuar propozimin e Uashingtonit. “Ne ishim fitimtarë në fushën e betejës, armiku nuk kishte arritur asnjë nga qëllimet e tij dhe Irani gjithashtu mbajti kontrollin e Ngushticës së Hormuzit”, theksoi ai.
“Ne e pranuam armëpushimin sepse (SHBA-të) i pranuan kërkesat tona”, përfundoi ai.
