Iran, Teherani rrezikon mbetjen pa ujë: Rekord thatësire

Rekord thatësire në Iran, Teherani rrezikon të mbetet pa ujë brenda dy javësh

Kryeqyteti i Iranit, Teherani, po përballet me rrezikun e mungesës së ujit të pijshëm për banorët, për shkak të tharjes së burimit kryesor të furnizimit.

Diga Amir Kabir, e cila është një nga pesë digat që furnizojnë me ujë të pijshëm Teheranin, aktualisht përmban vetëm 14 milionë metra kub ujë. Kjo sasi përfaqëson vetëm 8% të kapacitetit të saj, sipas deklaratës së drejtorit të kompanisë së ujësjellësit të kryeqytetit, Behzad Parsa, dhënë agjencisë IRNA të dielën. Parsa paralajmëroi se në këtë nivel, diga mund të vazhdojë furnizimin me ujë vetëm për dy javë.

Ky njoftim vjen në një kohë kur Irani po përjeton thatësirën më të rëndë në dekada. Muajin e kaluar, një zyrtar lokal deklaroi se niveli i reshjeve në provincën e Teheranit është “gati pa precedent në 100 vitet e fundit”. Metropoli, me mbi 10 milionë banorë, ndodhet në shpatet jugore të malësisë Alborz, majat e së cilës arrijnë deri në 5,600 metra lartësi dhe furnizojnë me ujë disa rezervuarë.

Parsa theksoi se një vit më parë, diga Amir Kabir mbante 86 milionë metra kub ujë, ndërsa këtë vit ka pasur një “rënie 100 për qind të reshjeve” në rajonin e Teheranit. Ai nuk dha detaje për situatën e digave të tjera që furnizojnë qytetin.

Mediat iraniane raportojnë se popullsia e Teheranit konsumon rreth tre milionë metra kub ujë çdo ditë. Si masë kursimi, autoritetet kanë pezulluar furnizimin me ujë në disa lagje, ndërsa ndërprerjet kanë qenë të shpeshta gjatë verës. Në korrik dhe gusht, u shpallën dy ditë pushimi publik për të kursyer ujë dhe energji, ndërkohë që temperaturat në Teheran kaluan 40°C, dhe në disa zona të vendit arritën mbi 50°C.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian kishte paralajmëruar në atë kohë se “Kriza e ujit është më e rëndë nga sa flitet sot”.

Mungesa e ujit është një problem madhor në të gjithë Iranin, veçanërisht në provincat jugore dhe të thata. Këto mungesa fajësohen për keqmenaxhim, shfrytëzim të tepërt të burimeve nëntokësore dhe ndryshimet klimatike.

Edhe fqinjët e Iranit, si Iraku, po përballen me vitin më të thatë që nga viti 1993. Lumenjtë Tigër dhe Eufrat, që derdhen në Gjirin Persik, kanë rënë deri në 27% të nivelit normal, për shkak të mungesës së reshjeve dhe kufizimeve të ujit nga vendet në rrjedhën e sipërme, duke shkaktuar një krizë humanitare të rëndë në jug të vendit.

Scroll to Top