Irani mohon takimin me zyrtarët amerikanë: Nuk është planifikuar asnjë bisedim këtë javë!
Irani ka hedhur poshtë raportimet se këtë javë do të zhvillohet një takim me Shtetet e Bashkuara në Katar, duke i cilësuar ato si të pasakta.
Deklarata e Iranit vjen pasi disa media ndërkombëtare raportuan se përfaqësues të të dy vendeve do të takoheshin të martën në Doha për të diskutuar, ndër të tjera, menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe uljen e tensioneve pas sulmeve të ndërsjella të fundjavës.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, deklaroi për televizionin shtetëror se “nuk është planifikuar asnjë takim i grupeve teknike të punës këtë javë”, duke theksuar se informacionet e publikuara në media janë të pasakta.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, Gharibabadi sqaroi se, megjithëse konsultimet me Katarin vijojnë normalisht, përfshirë edhe monitorimin e zbatimit të angazhimeve të Shteteve të Bashkuara, nuk mund të konfirmohet zhvillimi i bisedimeve teknike në Doha.
Ai shtoi se raundi i parë i këtyre bisedimeve do të zhvillohet vetëm pasi të plotësohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet një marrëveshje për datën dhe vendin e takimit.
Ndërkohë, sipas një raportimi të Reuters, një burim i njohur me procesin kishte bërë të ditur se ekipet teknike të Iranit dhe SHBA-së pritet të takohen në ditët në vijim për të diskutuar zbatimin e një marrëveshjeje të përkohshme pas tensioneve të fundit.
Sipas të njëjtit burim, në rendin e ditës do të ishte edhe çështja e sigurisë dhe menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
