OBSH: Vapa ekstreme mund të ketë shkaktuar mbi 1.300 vdekje shtesë në Evropë
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se temperaturat ekstreme mund të jenë shkaktare të qindra vdekjeve shtesë në Evropë.
“Mbi 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar që nga 21 qershori, të lidhura me temperaturat e larta në Evropë”, ka shkruar Tedros në rrjetin X. Ai ka shtuar se “Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë nën ndikimin e vapës ekstreme – qindra kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po mbingarkohen”.
Gjatë fundjavës së kaluar, disa vende evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Çekinë, kanë thyer rekorde të temperaturave, duke arritur ose tejkaluar 40 gradë Celsius. Autoritetet çeke u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetin fizik dhe kanë lëshuar paralajmërime për smog në pjesët qendrore dhe veriore të vendit, për shkak të niveleve të larta të ozonit pranë sipërfaqes së tokës, të shkaktuara nga vapa.
Në Gjermani, janë reduktuar udhëtimet me tren në një linjë kryesore në landin perëndimor, Nordrhajn-Vestfalenit, ndërsa në qytetin lindor të Lajpcigut, është pezulluar qarkullimi i tramvajeve. Policia e Berlinit ka përdorur topa uji për t’i ndihmuar banorët e kryeqytetit të freskoheshin. Sipas mediave lokale, shumë njerëz kanë qëndruar brenda në shtëpi dhe kanë shmangur daljet jashtë deri pas perëndimit të diellit.
Kompania franceze e shpërndarjes së energjisë, Enedis, njoftoi të dielën pasdite se rreth 36.000 familje në veri dhe në qendër të Francës kanë mbetur pa energji elektrike. Qeveria e Hungarisë ka bërë të ditur se centrali bërthamor Paks, në këtë vend, ka ulur prodhimin të dielën, për shkak të temperaturës së lartë të lumit Danub, uji i të cilit përdoret për ftohje.
Tedros ka theksuar se stresi nga nxehtësia, shpesh i quajtur “vrasës i heshtur”, ndodh sepse shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për të përballuar temperatura të tilla. “I nxitur nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valëve të të nxehtit, që dikur ndodhte një herë në një brez, tani po përsëritet pothuajse çdo vit”, ka thënë ai.
Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar disa shkencëtarë të cilët kanë deklaruar se vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, ka qenë më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë.
