Ish-kreu i Kushtetueses së Kosovës: Në Kuvend po bëhet një puç, nevojiten 80 deputetë
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një lidhje telefonike në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka vlerësuar dhe shpjeguar si duhet të zhvillohet procedura e raundeve për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
“Unë së pari po i referohem asaj që tha Haxhiu në fillim. Ajo e interpretoi në mënyrë arbitrare aktgjykimin e vitit 2011, duke lënë të kuptohet dhe duke thënë se deputetët që s’kanë marrë leje mirëkuptimi, nuk ka problem që s’janë, prandaj po vazhdojmë. Në aktgjykimin kur është zgjedhur z. Thaçi, është konfirmuar një pjesë, apo pjesa dërmuese e aktgjykimit të vitit 2011, që do të thotë dy herët e para duhet të jenë dy të tretat e deputetëve në sallë. Në raundin e tretë ka ndryshuar në 61 vota dhe është hequr ajo që ka cituar Haxhiu, që thoshte se deputetët duhet të marrin leje. Ajo dispozitë nuk vlen më. Këtë e ka konfirmuar edhe para një muaji gjykata, në aktgjykimin e fundit, në mënyrë të qartë se deputetët e popullit nuk mund të detyrohen”, – ka thënë Hasani.
Ai shtoi se në momentin kur (Albulena Haxhiu) e ka parë se nuk janë 80 deputetë në sallë, atëherë nuk mund të vazhdohej më tej.
