Shkelje Kushtetute per Presidentin: Kritika nga IKJ

Ekspertët: Kryetarja e Kuvendit dhe Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën për Presidentin

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, deklaroi se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) po e shkelin hapur Kushtetutën e Kosovës.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Miftaraj theksoi se Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë aktgjykimin e fundit, janë shumë të qarta.

“Në sallë nevojiten 80 deputetë për t’u konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit. Në rastin kur mungon kjo shumicë, dëshmohen qëllimet jo të mira të partisë në pushtet.”

Sipas Miftarajt, fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, duke shkelur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pa konsensus dhe debat politik minimal, dhe vetëm me votat e shumicës parlamentare të partisë në pushtet, cenon frymën e Kushtetutës. Kjo e fundit kërkon legjitimitet të gjerë për këtë funksion.

“Qëllimi kushtetues është që presidenti të mos jetë produkt i një partie të vetme politike, por rezultat i një përfaqësimi gjithëpërfshirës si garant i unitetit të popullit,” tha ai.

Miftaraj shtoi se mënyra si ka filluar kjo procedurë, duke u tërhequr dy kandidaturat e mëparshme dhe, me këtë, edhe nënshkrimet e protokolluara, ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Shmangia e një konsensusi minimal dhe përdorimi i procedurave duke shkelur Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese cenon rendin kushtetues,” përfundoi ai.

Scroll to Top