Izraeli bombardon Libanin jugor, vriten 3 persona

Ushtria izraelite kryen bombardime të reja në Liban, në shënjestër objektivat e Hezbollah

Një seri e re bombardimesh izraelite në Libanin jugor kanë lënë të vdekur të paktën tre persona. Forcat e armatosura izraelite njoftuan se kanë goditur dhjetëra “objektiva”, pozicione të lëvizjes shiite Hezbollah, e cila ka lidhje me Iranin.

Bombardimet, kryesisht nga ajri, vazhdojnë të jenë të përditshme në Libanin jugor, pavarësisht armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut, i cili është në fuqi që nga 17 prilli. Palët ndërsjellin akuza për shkelje të armëpushimit.

Në një deklaratë, forcat e armatosura njoftuan se kishin “shkatërruar rreth 50 objekte infrastrukturore të Hezbollahut në sektorë të ndryshëm”. Më herët, forcat e armatosura izraelite kishin urdhëruar evakuimin urgjent të civilëve nga nëntë fshatra.

Hezbollahu, nga ana e tij, mori përgjegjësinë për sulmet ndaj trupave izraelite, duke theksuar se veproi në hakmarrje për “shkeljet”.

Scroll to Top