Izraeli Sekuestron Flotiljen për Gaza, Arreston 175 Aktivistë

Izraeli sekuestron flotiljen drejt Gazës pranë Kretës, arreston 175 aktivistë; Italia e Franca reagojnë: Respektoni ligjin ndërkombëtar!

Një flotilje me ndihma humanitare për Gazën është kthyer në qendër të tensioneve ndërkombëtare. Aktivistët pro-palestinezë raportojnë se të paktën 22 anije janë penguar nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare, pranë ishullit të Kretës.

Organizatorët e “Global Sumud Flotilla” e kanë cilësuar ndërhyrjen si “pirateri” dhe “rrëmbim të paligjshëm”. Ata pretendojnë se operacioni ka ndodhur rreth 960 kilometra larg Gazës dhe se është përdorur forcë ndaj civilëve. Sipas tyre, disa anije janë dëmtuar, komunikimet janë bllokuar dhe pjesëmarrësit janë lënë në det të hapur në kushte të rrezikshme.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se rreth 175 aktivistë nga mbi 20 anije janë ndaluar dhe po transportohen drejt Izraelit. Autoritetet izraelite e kanë përshkruar flotiljen si një “manovër për publicitet” dhe theksuan se operacioni u zhvillua “në mënyrë paqësore” dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke synuar parandalimin e shkeljes së bllokadës detare ndaj Gazës.

Reagime të forta ka pasur edhe nga Europa. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi sekuestrimin dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve italianë të ndaluar. Bashkimi Evropian bëri thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, autoritetet greke deklaruan se ndërhyrja ndodhi jashtë ujërave territoriale të Greqisë dhe se nuk kishte pasur koordinim paraprak me Izraelin. Sipas tyre, disa anije të flotiljes mbetën pa drejtim në det, ndërsa personat në bord u morën nga forcat izraelite.

Flotilja, e nisur dy javë më parë nga vende si Spanja, Franca dhe Italia, synonte të sfidonte bllokadën detare të Gazës dhe të dërgonte ndihma humanitare. Ngjarja vjen në një kohë kur situata humanitare në Gaza mbetet kritike, me paralajmërime të vazhdueshme për përkeqësim të kushteve të jetesës për mbi 2 milionë banorë.

Scroll to Top