SHBA/ Këshilli i Paqes: Izraeli do të tërhiqet nga Gaza lindore pas çarmatimit të Hamasit
Këshilli i Paqes i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se forcat izraelite do të tërhiqen plotësisht përtej kufirit të përcaktuar si “Vija e Verdhë” në Gazën lindore, pasi Hamasi të ketë përfunduar procesin e çarmatimit dhe dorëzimit të armëve.
Ky qëndrim u rikonfirmua pas një takimi mes drejtorit të përgjithshëm të këtij organi, Nickolay Mladenov, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, theksohet se objektivi përfundimtar është demilitarizimi i plotë i Rripit të Gazës, përmes çarmatimit të grupeve të armatosura dhe kalimit drejt një administrimi civil.
Gjithashtu, bëhet e ditur se procesi i zbatimit të qeverisjes politike do të mbikëqyret nga një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit, si dhe nga Komiteti i Verifikimit të Zbatimit, ku, sipas deklaratës, marrin pjesë Shtetet e Bashkuara dhe vetë Këshilli i Paqes.
