Sulm me dron në Rusi: 7 të vdekur, 3 fëmijë, 40 plagosur

Sulm me dron në një plazh në Rusi: 7 të vdekur, përfshirë 3 fëmijë, dhe 40 të plagosur

Një sulm me dron ka goditur një plazh të mbushur me pushues në jug të Rusisë, duke rezultuar në vdekjen e shtatë personave, mes tyre tre fëmijë, dhe duke plagosur 40 të tjerë, sipas autoriteteve lokale.

Pamjet e verifikuara nga BBC tregojnë një dron që fluturon me shpejtësi drejt bregut para se të shpërthejë në një zjarr të madh pranë plazhit, ku turistët ndodheshin në tokë dhe në det.

Guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, deklaroi se 17 nga të plagosurit janë transportuar në spital. Ai akuzoi Ukrainën për një “sulm të qëllimshëm ndaj civilëve”.

Deri më tani, autoritetet ukrainase nuk kanë bërë komente rreth ngjarjes. Të dyja palët në konflikt kanë mohuar vazhdimisht se synojnë civilët.

Ende nuk është bërë e ditur objektivi i dronit. Disa kanale ukrainase në Telegram pretendojnë se ai devijoi nga kursi pasi sistemi i luftës elektronike bllokoi sinjalin. Ndërkohë, dëshmitarë të cituar nga mediat ruse thanë se para shpërthimit u dëgjuan të shtëna me armë, duke ngritur dyshime se mbrojtja ajrore mund të ketë tentuar ta rrëzojë dronin.

Ngjarja ndodhi në plazhin pranë fshatit Arkhipo-Osipovka, një destinacion i njohur turistik në brigjet e Detit të Zi, i frekuentuar nga mijëra pushues rusë, veçanërisht pas kufizimeve të udhëtimeve ndërkombëtare.

Sipas turistëve dhe banorëve, nuk pati asnjë alarm apo sirenë paralajmëruese para shpërthimit.

Scroll to Top