Çfarë ndodhi në Ngushticën e Hormuzit? Ja si kaloi superjahti 500 milionë dollarësh i aleatit të Putinit në zonën e tensionuar
Superjahti “Nord”, 142 metra i gjatë dhe i lidhur me miliarderin rus Alexey Mordashov, kaloi nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë fundjavës. Mjeti lundrues u nis nga Dubai të premten në mbrëmje, rreth orës 17:00 sipas orës lokale, dhe mbërriti në Muscat, Oman, të dielën në mëngjes.
Të dhënat nga MarineTraffic tregojnë se jahti mbeti brenda ujërave iraniane të Ngushticës së Hormuzit gjatë tranzitit. Të dhënat e gjurmimit sugjerojnë se ai ngadalësoi dy herë: së pari pranë hyrjes në ujërat iraniane dhe përsëri pranë ishullit Larak, një pikë kyçe kontrolli në Ngushticën e Hormuzit.
Nuk është e qartë nëse anija ka pasur kontakt me autoritetet iraniane. “Nord” vlerësohet të ketë një vlerë prej më shumë se 500 milionë dollarësh dhe është i pajisur me një pistë uljeje për helikopterë, pishinë dhe kinema.
Jahti në vetvete nuk është sanksionuar, por pronari i tij i dyshuar, Alexey Mordashov, është subjekt i sanksioneve nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe BE. Nuk dihet nëse ai ishte në bord. Anija nuk është e regjistruar në emër të një individi, por figuron në pronësi të një rrjeti kompanishsh, të cilat mund të fshehin kontrollin real të saj. Asnjë dokument publik nuk e përmend drejtpërdrejt Alexey Mordashov ose bashkëshorten e tij si pronarë, por struktura e pronësisë duket se ka ndryshuar rreth kohës kur u vendosën sanksionet në vitin 2022, duke përfshirë lidhje me një kompani të lidhur me gruan e tij.
Mordashov është kryetar i Severstal, një nga kompanitë më të mëdha të çelikut dhe minierave në Rusi.
