Jola Hysaj drejtore e AKT, reagon pas emërimit

“Po, jam takuar me Edi Ramën, ja çfarë më kërkoi”, ish-zyrtarja e PD konfirmon emërimin në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit

Publikuar më 30.07.2026 nga shekulli_admin

TIRANË – Pas spekulimeve dhe reagimeve lidhur me emërimin e saj në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke dhënë sqarime mbi vendimin e saj.

Hysaj konfirmon se është emëruar drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) dhe shprehet mirënjohëse për besimin e dhënë, duke theksuar se synimi i saj kryesor është të zhvillojë më tej këtë institucion. “Po, jam emëruar drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Jam shumë mirënjohëse për besimin dhe shpresoj ta justifikoj plotësisht,” shkruan ajo.

Lidhur me takimin me kryeministrin Edi Rama, Hysaj tregon se mesazhi që i ka mbetur në mendje ishte: “Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela.”

Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike thekson se ajo mbetet demokrate, por nuk është më pjesë e PD-së. “Po, jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike,” shprehet ajo.

Hysaj u ka kërkuar miqve dhe ndjekësve të saj të respektojnë zgjedhjen e saj për të nisur një angazhim të ri profesional në një sektor ku, sipas saj, ka punuar prej vitesh. “Kush më njeh e di që unë i them gjërat troç,” shkruan ajo, duke iu përgjigjur kështu edhe kritikave apo spekulimeve pas emërimit.

Scroll to Top