Kahn: Klopit nuk i përshtatet Real Madridi, grupi i yjeve

Oliver Kahn shfaqet i prerë: Në vend të Klopit do ta refuzoja Realin, grupi i tyre nuk është i përshtatshëm për t’u trajnuar

Real Madridi tashmë po hedh vështrimin drejt sezonit të ardhshëm, dhe një nga çështjet e para që duhet zgjidhur do të jetë trajneri i ardhshëm. Me Alvaro Arbeloan që pritet të largohet nga stoli i “Los Blancos”, Zhoze Murinjo është kthyer sërish në një temë të nxehtë bisede, megjithëse ëndrra kryesore mbetet bindja e Jyrgen Klopit.

Një lidhje e tillë mes gjermanit dhe klubit madrilen nuk e bind një legjendë të futbollit gjerman si Oliver Kahn, i cili dha mendimin e tij për gazetën “Marca”.

“Nuk jam i sigurt nëse do ta bëja unë në vendin e Jyrgen Klopit. A janë Real Madridi dhe ai të pajtueshëm?”, pyeti Kahn. “Klop është një nga ata që i pëlqen të zhvillohet, të ndërtojë. Më tej, ai punon me një sistem të mirëpërcaktuar. Real Madridi është diçka krejtësisht ndryshe. Real Madridi është një koleksion individësh, një grup superyjet që refuzojnë kategorikisht të kenë ndonjë skemë të imponuar mbi ta.”

Kahn sjell gjithashtu si shembull rastin e fundit të Xabi Alonsos, i cili u rikthye në Madrid me shpresa të mëdha dhe u shkarkua pas disa muajsh.

“E pamë me Xabi Alonson. Ka të bëjë me të kuptuarit nëse, si trajner, arrin të fitosh respektin, të krijosh lidhje me lojtarët, të menaxhosh yjet e mëdhenj dhe t’i bindësh ata për sistemin që synon të zbatosh”, përfundoi Kahn.

Burimi: PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top