Largimet e paligjshme po i kushtojnë shtetit paga për 134 gjyqfitues
Dhjetëra nëpunës civilë, të cilët kanë fituar betejat ligjore për largime të padrejta nga puna, vijojnë të mbeten në listë pritjeje, edhe pas sigurimit të vendimeve të formës së prerë për rikthim në detyrë.
Sipas të dhënave të disponueshme, edhe pse administrata kishte 1,760 vende vakante, 134 punonjës që kanë fituar gjyqin për rikthim vijojnë të mos jenë sistemuar, duke krijuar kështu një kosto të fshehur për buxhetin.
Të dhënat e publikuara nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil tregojnë se problemistika nuk lidhet më me mungesën e vendimit ligjor, por me paaftësinë e administratës për të gjetur pozicione të rregullta në organikë për ekzekutimin e tyre.
Sipas raportit, për periudhën 2023–2024, në administratën shtetërore janë regjistruar 189 vendime gjyqësore të formës së prerë për rikthim në detyrë. Nga këto, institucionet kanë arritur të ekzekutojnë vetëm 55 raste, ose 29.1%, ndërsa 70.9% e vendimeve, pra 134 raste, mbeten ende të paekzekutuara.
Kjo situatë krijon një kosto të dyfishtë për shtetin:
- Nga njëra anë, institucionet mbeten të ekspozuara ndaj pagesave të prapambetura, dëmshpërblimeve dhe kostove të proceseve gjyqësore.
- Nga ana tjetër, vendet e punës mbeten të bllokuara për rekrutime të reja, pasi organikat duhet të lënë hapësirë për ekzekutimin e vendimeve ekzistuese.
Kjo e kthen listën e pritjes së gjyqfituesve në një pengesë reale për qarkullimin normal të administratës publike.
Raporti e evidenton këtë çështje si një problematikë të veçantë në sistemin e shërbimit civil, duke e ndarë në një aneks më vete për rastet e nëpunësve që aktualisht presin sistemimin në një pozicion pune.
Përtej aspektit individual të secilit rast, kjo sinjalizon se administrata vijon të vuajë nga mungesa e fleksibilitetit në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe nga vështirësia për të absorbuar rikthimet pas proceseve gjyqësore të zgjatura.
Për tregun e punës në sektorin publik, efekti është zinxhir: konkurset e reja shtyhen, lëvizjet paralele ngadalësohen dhe vendimmarrja për strukturat e reja bëhet më e kujdesshme, pasi çdo pozicion vakant mund të duhet të përdoret për një gjyqfitues në pritje.
Në terma buxhetorë, kjo përkthehet në një faturë që nuk shihet menjëherë në paga, por reflektohet në eficiencë më të ulët dhe në kosto të fshehura administrative.
