Karim Khan shkarkohet si Kryeprokuror i GJKP pas akuzave

Akuza për sulm seksual, shkarkohet Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan

Asambleja e Përgjithshme e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJPN) ka votuar për shkarkimin e Kryeprokurorit Karim Khan, pas akuzave për sulm seksual të ngritura nga një anëtare e ekipit të tij. Khan i ka mohuar këto akuza.

Sipas burimeve diplomatike, 82 nga 125 shtetet anëtare të GJPN-së votuan pro shkarkimit të avokatit britanik 56-vjeçar. Khan dhe avokatët e tij kanë kundërshtuar procesin, duke e cilësuar atë të paligjshëm, proceduralisht të padrejtë dhe të pambështetur në prova.

Vendimi vjen në një kohë tensionesh të larta rreth Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk janë pjesë e GJPN-së, kanë njoftuar një fushatë diplomatike kundër institucionit, duke e akuzuar se përbën një kërcënim ndaj sovranitetit amerikan.

Organet mbikëqyrëse të gjykatës kishin arritur më herët në përfundimin se Karim Khan kishte pasur një “marrëdhënie të papërshtatshme” me një avokate të re të GJPN-së dhe rekomanduan largimin e tij nga detyra. Shtetet anëtare e ndoqën këtë përfundim në votimin e zhvilluar në Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj 11 gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJPN-së, përfshirë Karim Khan. Arsyeja e sanksioneve përmendet lidhja me urdhër-arrestet e lëshuara ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe hetimet e mëparshme mbi operacionet ushtarake amerikane në Afganistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër gjykatën, duke deklaruar se nuk do të lejojë që politikanë apo personel ushtarak amerikan të dalin para saj.

Gruaja që akuzoi Khanin foli publikisht për herë të parë javën e kaluar në një intervistë për CNN, ku përsëriti pretendimin se kishte pasur një marrëdhënie seksuale jo konsensuale me të.

Shkarkimi i Karim Khan nis procesin për zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të GJPN-së, por zgjedhja e pasuesit nuk pritet të përfundojë para vitit të ardhshëm. Ndërkohë, urdhër-arrestet e lëshuara gjatë mandatit të Khan mbeten në fuqi, pasi vetëm gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale kanë autoritetin për t’i ndryshuar ose tërhequr ato.

Në një zhvillim tjetër, Venezuela ka njoftuar zyrtarisht Kombet e Bashkuara për vendimin e saj “të pakthyeshëm” për t’u tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Ministri i Jashtëm venezuelian, Felix Plasencia, tha se vendimi bazohet në pretendimin e Karakasit për një “paragjykim gjeografik” të gjykatës, duke argumentuar se ajo synon në mënyrë disproporcionale vendet e Jugut Global, veçanërisht në Afrikë dhe Amerikën Latine.

Scroll to Top