Partia Demokratike në Fier i dha votat Partisë Socialiste për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak.
Në Këshillin Bashkiak të Fierit, ku ishin të pranishëm 41 këshilltarë, u zhvillua votimi për kreun e ri të këshillit, Melsi Bogdani. Më herët, grupi socialist kishte paraqitur një mocion shkarkimi, duke i kërkuar Antoneta Çunajt të dorëhiqej.
Çunaj, duke shmangur votimin për shkarkimin e saj, hapi rrugën për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të Këshillit Bashkiak. Melsi Bogdani u propozua si pasardhëse e saj nga grupi më i madh politik në këshill.
Antoneta Çunaj nuk pranoi zhvillimin e një votimi të fshehtë, por paraqiti dorëheqjen e saj të parevokueshme. Ajo deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë të kontribuojë si këshilltare, me qëllim mbështetjen e vendimmarrjeve të drejta për komunitetin.
Pas mbledhjes së Komisionit të Mandateve për verifikimin e kërkesës së këshilltarëve socialistë, vijoi procesi i votimit për kreun e ri të Këshillit Bashkiak. Melsi Bogdani u zgjodh me shumicë votash, duke marrë mbështetjen edhe të këshilltarëve të Partisë Demokratike. Pati vetëm një votë kundër, ajo e Antoneta Çunajt.
Në fjalën e tij, kryetari i ri i Këshillit Bashkiak, Melsi Bogdani, vlerësoi punën e ish-kryetares dhe u shpreh se këshilli do të kalojë në një tjetër nivel funksionimi.
