KLP miraton 4 kandidatë për kreun e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton listën me 4 kandidatë për drejtimin e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot listën me katër kandidatë për kreun e ri të Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK). Sokol Stojani, kryetar i komisionit për zhvillimin e karrierës pranë KLP-së, deklaroi se të gjithë kandidatët plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e garës për drejtimin e SPAK.

Ai sqaroi se kandidatët duhet të jenë prokurorë të SPAK, të mos mbajnë poste drejtuese aktualisht, të kenë paraqitur një platformë dhe të mos kenë masë disiplinore. Stojani konfirmoi se katër kandidatët që plotësojnë këto kritere dhe konkurrojnë për kreun e SPAK janë: Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho.

Miratimi i listës u bë me 10 vota pro në mbledhjen e sotme, ndërsa mungonte anëtari Zeqir Hodaj. Hodaj vendosi të tërhiqej nga mbledhja për shkak të një konflikti të interesit, pasi djali i tij është emëruar në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) nga një prej kandidatëve, Klodian Braho.

Hodaj shprehu nevojën për kohë shtesë për Këshillin dhe për veten e tij, për të marrë një vendim të drejtë lidhur me situatën. Ai argumentoi se, edhe pse mund të jetë çështje formale, tërhiqet nga votimi për të siguruar një proces ligjor të rregullt.

Mandati tre-vjeçar i kreut aktual të SPAK, Altin Dumanit, përfundon në dhjetor të këtij viti. Pasardhësi i tij do të qëndrojë në krye të SPAK deri në dhjetor të vitit 2028.

Scroll to Top