“`html
Kodi për Mbrojtjen nga Zjarri: Një Emergjencë Kombëtare
Nga ing. Nikolin Risilia*
Tirana u përfshi sërish nga flakët. Një tjetër fasadë u dogj me shpejtësi të frikshme, një tjetër ndërtesë u kthye në një “shfaqje piroteknike” të rrezikshme për jetën. Dhe si zakonisht, pas çdo incidenti, ngrihet e njëjta pyetje: çfarë nuk funksionoi këtë herë? Megjithatë, ndoshta kjo nuk është pyetja e duhur. Problemi nuk shtrihet vetëm te kjo ndërtesë apo te kjo fasadë. Ai është më i thellë, më i gjerë dhe më i rrezikshëm: mungesa e një sistemi kombëtar të mirëfilltë për sigurinë nga zjarri.
Ne vazhdojmë të merremi me simptomat – materialet, projektet, detajet teknike – ndërkohë që shkaku kryesor mbetet i paprekur. Problemi i vërtetë, ai që nuk shihet, është mungesa e rregullave të qarta.
Në Shqipëri nuk ekziston një Kod i unifikuar i Zjarrit. Nuk ka një dokument të vetëm, të qartë dhe detyrues, i cili të përcaktojë se si duhen projektuar, ndërtuar, përdorur dhe mirëmbajtur ndërtesat në raport me rrezikun nga zjarri. Kjo bën që siguria të lihet shpesh në dorë të interpretimeve; dhe kur siguria bëhet çështje interpretimi, rreziku bëhet real.
Çfarë është “Kodi i Zjarrit”?
Kodi i Zjarrit është një kornizë e integruar rregullatore dhe teknike. Ai përcakton kërkesat minimale dhe performancën e detyrueshme për sigurinë nga zjarri në të gjitha fazat e jetëgjatësisë së një ndërtese: projektim, ndërtim, përdorim dhe mirëmbajtje. Ai bazohet në parimin e sigurisë së integruar ndaj zjarrit (fire safety engineering) dhe kombinon masa pasive dhe aktive për të siguruar mbrojtjen e jetës, kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe ndërhyrjen efektive në situata emergjente.
Në mënyrë të detajuar, Kodi përcakton:
- Kriteret e projektimit dhe zgjedhjes së materialeve ndërtimore, duke përfshirë klasifikimin e reagimit dhe rezistencës ndaj zjarrit, me qëllim kufizimin e ndezshmërisë, zhvillimin e zjarrit dhe përhapjen e tij në elementet strukturore dhe jo-strukturore.
- Kërkesat për ndarjen në zona zjarri dhe integritetin strukturor, për të kontrolluar përhapjen horizontale dhe vertikale të flakëve dhe tymit.
- Sistemet e evakuimit dhe shpëtimit, të dimensionuara bazuar në ngarkesën e shfrytëzimit, kohën e evakuimit dhe aksesin e sigurt për përdoruesit dhe shërbimet e emergjencës.
- Sistemet aktive të mbrojtjes, si detektimi i hershëm, alarmi, sistemet sprinkler, sistemet e shuarjes dhe kontrolli i tymit, të projektuara për aktivizim automatik dhe funksionim të besueshëm në kushte zjarri.
- Kërkesat operacionale dhe të mirëmbajtjes, duke përfshirë inspektimet periodike, testet funksionale dhe menaxhimin e sigurisë gjatë përdorimit të ndërtesës.
- Kualifikimin dhe përgjegjësitë e personelit, duke përcaktuar standarde për trajnim, certifikim dhe menaxhim të emergjencave.
Pse nuk kemi ende një të tillë?
Ndërtimi i një kodi nga e para është një proces i gjatë, kompleks dhe kërkon ekspertizë të thellë. Por këtu qëndron edhe keqkuptimi më i madh: Shqipëria nuk ka pse ta shpikë nga e para. Vendet e tjera e kanë bërë tashmë këtë punë. Ekzistojnë kode të provuara – amerikane, britanike, italiane – të testuara nga koha, teknologjia dhe krizat reale. Ajo që mungon nuk është modeli, por vendimi për ta adoptuar dhe implementuar.
Një hap konkret: një tryezë e përbashkët
Kjo kërkon përgjegjësi të qarta dhe të përcaktuara, jo role të shpërndara dhe të paadresuara. Mbi të gjitha, kërkon kalimin nga praktikat e improvizuara drejt zbatimit të standardeve të mirëfillta dhe të detyrueshme.
Krijimi i një komiteti kombëtar për sigurinë nga zjarri është një domosdoshmëri urgjente. Ky komitet duhet të udhëheqë adoptimin e një Kodi të Zjarrit, të përfshijë aktorët kryesorë të tregut, të integrojë ekspertizë ndërkombëtare dhe të garantojë ndërtimin e një sistemi funksional afatgjatë.
Koha nuk pret
Çdo ndërtesë e re që ngrihet pa standarde të qarta është një rrezik i shtyrë për nesër. Çdo ndërtesë ekzistuese pa kontroll është një pikë e dobët në qytet. Dhe çdo zjarr i përsëritur është një sinjal që nuk mund të injorohet më.
Sa herë duhet të digjet një fasadë që ne të kuptojmë se problemi nuk është fasada? Siguria nga zjarri nuk është një detaj teknik. Është një kontratë me jetën dhe sot, kjo kontratë në Shqipëri është ende e pambrojtur.
*Drejtor Ekzekutiv i SFPE Albania, një degë e Shoqatës Ndërkombëtare të Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri (SFPE).
“`
