Kompanitë e naftës kërcënojnë me padi qeverinë për llogaritje të gabuar të çmimit
Kompanitë e naftës kanë paralajmëruar qeverinë se do ta padisin dhe do të kërkojnë dëmshpërblim për shkak të llogaritjes së çmimit të naftës nën kosto.
Që prej datës 26 mars, qeveria ka riaktivizuar Bordi i Transparencës për Hidrokarburet, i cili ka përgjegjësi për llogaritjen e çmimeve sipas një metodologjie të miratuar që nga kriza e vitit 2022, periudhë kur çmimet e naftës u rritën ndjeshëm pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
Që nga riaktivizimi në fund të marsit të këtij viti deri më 28 maj, Bordi ka ndërhyrë rreth 30 herë në treg, ndonjëherë edhe tre ditë radhazi.
Që në fillim, operatorët janë ankuar se përllogaritja bëhet bazuar në çmimin FOB (Free on Board), i cili nuk përfshin koston e transportit dhe sigurimit. Në vend të kësaj, ata kërkojnë që të merret parasysh çmimi CIF, i cili përfshin transportin dhe sigurimin dhe që mund të rrisë çmimin e blerjes me 45-50 dollarë për ton. Kompanitë ndërkombëtare të tregtimit, që nga viti 2024, nuk operojnë më me kontrata FOB, por me kontrata CIF.
Ndërkohë që çmimi i vendosur nga Bordi bazohej në treguesin FOB, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Kjo diferencë, sipas operatorëve, ka krijuar një kosto shtesë prej 4.7 lekë për litër, duke sjellë humbje të konsiderueshme për importuesit.
Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe kryeministrit Edi Rama, të cilën e ka parë “Monitor”, kompanitë më të mëdha importuese theksojnë se pasi kërkesat për rishikimin e metodologjisë së çmimit dhe marzheve bruto nuk janë marrë parasysh, ata kanë parashtruar qëndrimin e tyre, duke përfshirë mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatë.
Importuesit shprehin shqetësimin se Bordi i Transparencës, i krijuar që në vitin 2022, nuk pasqyron kostot reale të operimit të subjekteve në treg pas riaktivizimit në mars 2026. Ata ngrenë shqetësimin se nuk merren parasysh rritjet e shpenzimeve të shkaktuara nga inflacioni dhe ndryshimet strukturore të kostove gjatë periudhës 2022–2026.
Sipas importuesve, çmimet e përcaktuara nga Bordi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë nën nivelin e kostos reale, duke sjellë humbje të vazhdueshme për kompanitë. Ata pretendojnë se ka diferenca në përllogaritjen e kostos, duke sjellë humbje financiare për subjektet e tregut, të cilat janë të dokumentuara me evidenca kontabël dhe dokumentacion doganor.
Importuesit pohojnë se metodologjia e bazuar në referencën “Platts FOB”, e miratuar në vitin 2022, nuk përputhet me realitetin ekonomik aktual të operatorëve, të cilët tashmë importojnë në kushtet e lëvrimit “Platts CIF”. Ata shtojnë se miratimi i një akti normativ me fuqinë e ligjit, i cili parashikon krijimin e një Bordi që jo vetëm përcakton çmimet e shitjes, por edhe ndërhyn në përcaktimin e elementeve thelbësore të marrëdhënies kontraktore (si forma e kontratave FOB), përbën një kufizim të drejtpërdrejtë të lirisë së veprimtarisë ekonomike.
Një tjetër faktor që ka rritur kostot reale dhe nuk është marrë parasysh në formulën e Bordit është inflacioni gjatë katër viteve të fundit, duke përfshirë rritjen e pagave, sigurimeve shoqërore, qirave dhe shpenzimeve të tjera operative.
Sipas formulës së Bordit, shpenzimet e operimit (marzhi bruto) janë llogaritur në mënyrë të papërshtatshme në nivelin 3 lekë/litër, ndërkohë që, bazuar në të dhënat reale kontabël, ky tregues duhet të jetë rreth 4 lekë/litër. Në tregun e pakicës, sipas formulës së Bordit, shtohet një marzh tjetër prej 12 lekë/litër, ndërkohë që importuesit pretendojnë se shpenzimet arrijnë realisht 15 lekë për litër.
Vetëm nga ky devijim metodologjik, sipas importuesve, krijohet një diferencë prej rreth 4 lekë për litër, e cila përbën humbje të drejtpërdrejtë për kompanitë. Si rrjedhojë, operatorët ankohen se Bordi nuk ka llogaritur një kosto prej 8.7 lekë/litër në çmimin final të karburantit (4 lekë nga marzhi dhe 4.7 lekë nga llogaritja e TVSH-së), çka ka shkaktuar humbje dhe ka vënë shumë operatorë të vegjël në prag falimentimi.
Importuesit paralajmërojnë se vazhdimësia e kësaj situate, pa një rishikim të menjëhershëm të kuadrit rregullator dhe metodologjisë së përcaktimit të çmimeve, do t’i detyrojë subjektet të operojnë me humbje, duke rrezikuar seriozisht vijueshmërinë e aktivitetit të tyre tregtar.
Në rast se nuk merren masa brenda 10 ditëve për të ndalur dëmet e mëtejshme, importuesit kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës kompetente për të kërkuar zgjidhjen gjyqësore lidhur me dëmshpërblimin e plotë të të gjitha pasojave dhe dëmeve të shkaktuara si rrjedhojë e llogaritjes së çmimeve nën kosto.
Burimet bëjnë të ditur se deri tani, dëmi i përllogaritur afrohet rreth 7 milionë eurove.
