“`html
Konsumi i karburanteve ra me 16.4% në prill, por qeveria arkëtoi njësoj taksa nga rritja e çmimeve
Konsumi i karburanteve ka shënuar një rënie të ndjeshme në muajin prill. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Doganave, në prill në pikat e shitjes me pakicë qarkulluan 33 mijë ton naftë, ose 39.2 milionë litra, krahasuar me gati 40 mijë ton (47 milionë litra) në të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo përfaqëson një rënie të konsumit prej 16.4%.
Operatorët e tregut shpjegojnë këtë rënie me shtrenjtimin e çmimit të naftës në vend dhe diferencën e tij me vendet fqinje, sidomos Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Si pasojë, shumë automjete janë furnizuar në pikat kufitare të këtyre shteteve.
Çmimi mesatar i naftës në Shqipëri në prill ishte rreth 210 lekë për litër, ndërsa një vit më parë luhatjej në rreth 172-175 lekë/litër. Ndërkohë, në vendet e rajonit, nafta ishte 30-40% më e lirë, për shkak të taksave më të ulëta dhe masave fiskale që morën për të kontrolluar çmimet finale për konsumatorët.
Për katër muajt e parë të vitit, konsumi ishte 142.7 mijë ton, duke shënuar një tkurrje prej 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo bie në kontrast me tre muajt e parë të vitit, ku konsumi ishte në nivele të qëndrueshme (me një rritje prej 1%). Edhe importet kanë ndjekur një tendencë rënëse, duke shënuar një ulje prej 14% në prill (52 mijë ton), dhe 5% për katër muajt e parë.
Qeveria nuk humbi të ardhura, e kompensoi rënien e konsumit përmes rritjes së taksave
Megjithëse konsumi dhe importi i karburanteve ranë në prill, të ardhurat doganore nga karburanti i zhdoganuar kanë mbetur të qëndrueshme. Kjo situatë u mundësua nga rritja e çmimit të zhdoganimit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në prill 2026, vlera e zhdoganuar për njësi ishte 99 lekë për litër, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ishte 49.8 lekë për litër, pra gati dyfish më e lartë. Si pasojë, të ardhurat doganore nga karburanti i zhdoganuar (duke përfshirë taksën doganore, akcizën dhe TVSH-në) arritën në 2.86 miliardë lekë në prill, pothuajse në nivele të njëjta me 2.97 miliardë lekë të një viti më parë.
Për katër muajt e parë të vitit, të ardhurat doganore ishin 10.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja më e fortë u regjistrua në mars, me 16.5%, ku qeveria arkëtoi më shumë si nga çmimi më i lartë i zhdoganimit (81.4 lekë, kundrejt 57 lekë një vit më parë), ashtu edhe nga shtimi i konsumit.
Duke përfshirë edhe të ardhurat nga benzina, të ardhurat doganore për katër muajt e parë të vitit 2026 arritën në 13.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.1% krahasuar me vitin e kaluar.
Burimi: Doganat
“`
