Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook lidhur me organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë, duke mbrojtur vendimin për financimin e aktivitetit me 4 milionë euro.
Rama argumenton se ky event do të sjellë përfitime ekonomike dhe promovim ndërkombëtar për Shqipërinë, ndërsa ka kritikuar reagimet kundërshtuese në rrjetet sociale.
Ai thekson se shuma prej 4 milionë eurosh është dhënë në minutën e fundit për të mos turpëruar Shqipërinë përpara rreth 25 mijë të huajve nga 80 shtete, të cilët kanë blerë me kohë bileta për koncertin e Kanye West.
Sipas tij, ky koncert paraqet një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë turistike, duke iu drejtuar një prej komuniteteve më të mëdha të botës – dashamirëve të muzikës. Gjithashtu, synon të stimulojë ekonominë.
Rama sjell si shembull Finalen e Conference League, e cila sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh. Ai vlerëson se nga ky koncert, pavarësisht pengesave artificiale, pritet të kemi të ardhura jo më pak se 100 milionë euro.
Ai thekson se rritja e rezervimeve në platformat e udhëtimit për fundjavën e koncertit tregon përfitimin direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e shtetit, si pasojë e rritjes së konsumit, pa llogaritur përfitimin afatgjatë.
Kryeministri i quan “sorra dhe korba” ata që në rrjetet sociale bëjnë llogari manipuluese, duke pretenduar se shqetësohen për popullin dhe të sëmurët me kancer, të cilët do të mbeten pa ilaçe për shkak të këtij “koncerti privat”.
Rama kujton se vetëm pak ditë më parë janë alokuar 15 milionë euro shtesë për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë euro për aparatura mjekësore. Ai përmend gjithashtu dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta, dyfishimin e financimit për Start Up-et, dyfishimin e garancisë sovrane për programin “Dyfisho biznesin tënd”, si dhe financimin e një pakete të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural dhe mbrojtjen.
Rama pyet çfarë kërkojnë ata që ai i quan “sorrat dhe korbat” që sipas tij “privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove”. Ai përfundon duke thënë se ata duan të ndalin dhe kthejnë Shqipërinë mbrapsht me dhunë, sharje, shpifje dhe kërcënime për këdo që mendon ndryshe. Ai siguron se Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë mundësi të kthehet mbrapsh.
