Kongresmeni Amerikan Kërkon Rishikimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri
Kongresmeni amerikan Keith Self ka bërë thirrje për një rishikim të funksionimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Deklarata u bë gjatë diskutimeve në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.
Kongresmeni Self shprehu shqetësimin për vonesat në çështjet gjyqësore, duke theksuar se ato dëmtojnë sundimin e ligjit, besimin publik dhe procesin e rregullt ligjor. Ai gjithashtu nënvizoi se rishikimi i reformës në drejtësi lidhet me sigurimin e drejtësisë së paanshme për qytetarët shqiptarë.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur dhe të besueshëm në Shqipëri. Megjithatë, pas 10 vitesh implementim, është e arsyeshme të rishikohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç ishte parashikuar dhe po ofron drejtësi të paanshme për popullin shqiptar,” tha ai.
Ai shtoi: “Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë fakti që numri i çështjeve të prapambetura në nivel kombëtar është rritur nga rreth 16,000 çështje në fillim të reformës në rreth 200,000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Vonesat e tilla minojnë sundimin e ligjit, besimin publik dhe procesin e rregullt ligjor.”
Në deklaratën e tij, Kongresmeni Self iu referua edhe situatës problematike në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur emigracionin e paligjshëm, papunësinë dhe rritjen e varfërisë. Ai tha se këta faktorë po ndikojnë negativisht në sundimin e ligjit, duke nxitur krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin.
“Jeta e përditshme në Ballkanin Perëndimor karakterizohet nga një popullsi në rënie dhe në plakje. Ashtu si në shumë pjesë të tjera të Evropës, po ndodh një eksod i atyre që janë të kualifikuar dhe të arsimuar. Emigracioni i paligjshëm është i përhapur, ndërsa shkalla e papunësisë dhe varfërisë po rritet ndjeshëm. Këta faktorë po ndikojnë negativisht në sundimin e ligjit, duke nxitur krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin,” shpjegoi ai.
Self rikujtoi përvojën e tij gjatë operacionit “Allied Force” të NATO-s në vitin 1999 dhe ndihmën e drejtpërdrejtë për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon. Megjithatë, ai theksoi se pas kaq shumë vitesh, Ballkani Perëndimor mbetet ende një vatër tensionesh.
“Pa një ndryshim strategjie, udhëheqja amerikane duhet të ketë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e konflikteve të reja që do të ndikojnë negativisht në ekuilibrin e fuqisë në Evropë. Unë përgëzoj administratën Trump për riangazhimin në këtë rajon që shpesh është lënë pas dore,” përfundoi Self.
