Kontroll në burgun e Durrësit: Gjenden 3 telefona, një në posedim të të burgosurit

Kontroll i befasishëm në burgun e VIP-ave në Durrës, gjenden tre telefona

Policia ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në ambientet e brendshme dhe të jashtme të burgut të Durrësit, ku janë gjetur dhe sekuestruar tre celularë.

Njoftimi i policisë sqaron se, në vijim të informacioneve të siguruara nga strukturat operative të IEVP Durrës dhe pas analizës së riskut, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë një aksion kontrolli në këtë institucion.

Kontrolli u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në zbatim të Urdhrit Nr. 626, datë 07.04.2026, me pjesëmarrjen e Forcave Speciale të DPB. Gjatë operacionit u ushtrua kontroll në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucionit.

Rezultatet e kontrollit:

  • U sekuestruan tre celularë tip “iPhone”, të ndezur dhe funksionalë.
  • Njëri prej tyre u gjet në posedim të të paraburgosurit me iniciale B.G.
  • Dy të tjerë, së bashku me një palë kufje “bluetooth”, u konstatuan pa autorë në ambientet e institucionit.

Veprimet e menjëhershme:

  • U veçua i paraburgosuri B.G.
  • U hartua raporti i incidentit.
  • U mbajt procesverbali i bllokimit të sendeve të ndaluara.
  • Materialet iu referuan Specialistit të SHKB për veprime të mëtejshme hetimore.

Ky aksion është një tjetër dëshmi e vendosmërisë për të goditur çdo tentativë për cenimin e sigurisë në institucionet penitenciare. Kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të në rang vendi. Ekziston zero tolerancë ndaj shkelësve.

Scroll to Top