Kosova ratifikon marrëveshjen për anëtarësimin në Bordin e Paqes
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, një nismë e presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.
Për marrëveshjen votuan 103 deputetë, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Haxhi Avdyli nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një hap me rëndësi strategjike për vendin.
“Anëtarësimi është një vendim i rëndësishëm politik dhe strategjik që e pozicionon vendin tonë si kontribuues aktiv në ndërtimin e paqes globale dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha ai.
Edhe partitë opozitare vlerësuan se anëtarësimi i Kosovës në këtë bord është në interes të vendit.
“Anëtarësimi është interes i lartë shtetëror, forcon sigurinë ndërkombëtare, orientimin euroatlantik të Kosovës dhe konsolidon aleancën me SHBA-në”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Elmi Reçica.
Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, Kosova po shndërrohet në eksportuese të stabilitetit, duke shtuar se kjo është një mundësi për vendin që të formësojë imazhin në botë.
“Ne nuk po votojmë thjesht për një anëtarësim, po votojmë për dinjitetin e shtetit tonë, për jetësimin e miqësive tona të shenjta”, tha ai.
Ndërkohë, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se anëtarësimi në nismën e presidentit Trump, është dëshmi se vendi po garanton siguri dhe po forcon miqësinë me SHBA-në.
“Vetë ky anëtarësim dhe votimi i sotëm është një garanci për Kosovën”, tha ajo.
Çfarë është Bordi i Paqes?
Më 22 janar, është themeluar Bordi i Paqes gjatë një ceremonie të mbajtur në Davos të Zvicrës. Bordi u lansua nga presidenti amerikan, Donald Trump, si një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte ndër themelueset e Bordit të Paqes dhe e ka përkrahur plotësisht nismën e Trumpit.
Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Karta e Bordit nuk e kufizon rolin vetëm në Gazë.
Bordi do të udhëhiqet nga Trump. Ai do të ketë gjithashtu një Bord Ekzekutiv ku janë emëruar si anëtarë:
- Sekretari amerikan i Shtetit
- Marco Rubio
- I dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff
- Dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner
- Ish-kryeministri britanik, Tony Blair
- Miliarderi Mark Rowan
- Biznesmeni amerikan Ajay Banga
- Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert Gabriel
Nickolay Mladenov, politikan bullgar, do të jetë përfaqësues i Bordit të Paqes në Gazë.
Si mekanizëm i Bordit të Paqes është krijuar edhe Forca Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes së cilës Kosova do të dërgojë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Kjo forcë për Gazën është pjesë e planit 20-pikësh të Trumpit për të arritur paqe në Gazë. Plani është pranuar në tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ku u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe u morën qindra pengje. Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar dërgimin e trupave, ndërsa më pas ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e FSK-së në Gazë.
