Kreu i ARRSH & Ministrja e Infrastrukturës të pandehur për Tunelin e Llogarasë

Kreu i ARRSH-së në SPAK, avokati konfirmon se u mor i pandehur për Tunelin e Llogarasë

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është marrë i pandehur lidhur me tenderin për Tunelin e Llogarasë. Ai ka qëndruar rreth 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), por në dalje nuk ka dhënë deklarata, duke u shprehur se “nuk kemi bërë asnjë deklaratë”.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i tij ka konfirmuar se Gjyli është marrë i pandehur për këtë çështje.

Edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë e pandehur për të njëjtin tender, të premten e 31 tetorit. Numrit dy të qeverisë iu komunikua akuza e “Shkelje e barazisë në tendera”.

Akuzat për Ballukun

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, më datën 31.10.2025, i është njoftuar akuza zonjës Belinda Balluku, e cila mban funksionin e lartë shtetëror të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale që përbëjnë objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, lidhen me veprimet e saj në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, për një nga procedurat e prokurimit objekt i këtij hetimi. Bëhet fjalë për procedurën e “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Kjo procedurë u zhvillua në datën 11.12.2020 dhe, pas anulimit të saj, u rihap në datën 22.6.2021, me fond limit prej 18,967,810,952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë) lekë pa TVSH.

Scroll to Top