Kritika për “Paqen Fiskale” dhe faljen e detyrimeve

Interesi i bizneseve për faljen e detyrimeve, më i lartë se për ‘Paqen Fiskale’

Kontabilisti Sotiraq Dhamo vlerëson se bizneset kanë shfaqur më shumë interes për ligjin e faljes së detyrimeve tatimore, doganore dhe vendore, sesa për “Paqen Fiskale”. Ai thekson se “Paqja Fiskale” mbetet më e paqartë dhe më komplekse në zbatim.

Sipas z. Dhamo, hezitimi i bizneseve për “Paqen Fiskale” po ndikohet nga frika. Bizneset shqetësohen se edhe pas lidhjes së marrëveshjes apo rideklarimit të pasqyrave, ekziston rreziku që sipërmarrësi të hetohet më pas për pastrim parash, evazion fiskal apo fshehje detyrimesh.

A kanë nisur të shfaqin interes bizneset për të lidhur marrëveshjen e Paqes Fiskale? Cilat janë arsyet?

Po, ka një numër biznesesh që kanë shfaqur interesim, sidomos lidhur me ligjin për fshirjen e detyrimeve. Fshirja e detyrimeve të vjetra, gjobave dhe kamatëvonesave përbën një lehtësim për to, duke mundësuar rregullimin e marrëdhënieve me organet tatimore.

“Paqja Fiskale” është më pak e pritur për shkak të kompleksitetit dhe pasigurive që ajo paraqet në zbatim. Këto pasiguri lidhen me zbatimin e tatimit, rritjen e mundshme të tatimit në 18%, si dhe me rideklarimin e disa elementeve të pasqyrave financiare. Po ashtu, udhëzimi i Autoritetit të Inteligjencës Financiare (AIF) ka rritur paqartësinë dhe konfuzionin rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

A po bëhet i shpeshtë zbatimi i amnistive në vend dhe cilat janë efektet pozitive dhe negative të tyre? A kanë rezultuar efikase për bizneset amnistitë e kaluara?

Amnistitë në Shqipëri janë bërë të zakonshme, duke u përsëritur çdo 4-5 vite, gjithmonë me premtimin se nuk do të ndodhin më. Në opinionin tim, amnistitë e përsëritura kanë më shumë efekte negative, sidomos duke dëmtuar kulturën fiskale, duke krijuar pabarazi midis subjekteve të rregullta dhe atyre jo të rregullta, dhe duke nxitur qëndrimin se nuk duhet paguar detyrimet tatimore pasi do të ketë amnisti në të ardhmen.

Në parim, amnistitë duhet të jenë një përjashtim dhe të rregullojnë situata që nuk kanë qenë në kontrollin e qeverive. Shumica e amnistive kanë pasur rezultate joefikase dhe jo të pritura sipas pretendimeve të deklaruara. Ndoshta për subjekte të veçanta mund të kenë qenë efikase, por për tatimpaguesit apo edhe qeverinë nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Mbi të gjitha, ato kanë ndikuar në qasjen: “mos paguaj detyrimet apo gjobat sepse do të ketë amnisti”, dhe vërtet kështu ka ndodhur.

Zbatimi i ligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” ka shkaktuar debat tek institucionet ndërkombëtare, si FMN, BE dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë për rrezikun e pastrimit të parave. Në opinionul tuaj, sa real është ky paralajmërim?

Pjesa e ligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” që përcakton rideklarimin e të gjithë zërave të bilancit përbën një rrezik dhe shqetësimi është i drejtë. Mendoj se subjekte të caktuara do të përfitojnë nga kjo mundësi për të realizuar qëllimin e tyre për të pastruar paratë, pavarësisht garancive të institucioneve përkatëse. Ka një anomali në vetë konceptin: nëse është amnisti fiskale (rideklarimi i zërave të bilancit) dhe ky ndryshim vjen si pasojë e evazionit fiskal, duhet të jetë i pranuar, pasi amnistia fiskale ka për qëllim të amnistojë pikërisht shmangiet tatimore.

A mund të kemi shembuj konkretë se si mund të përdoret marrëveshja për pastrim parash?

Për vetë marrëveshjen nuk mund të jap shembull. Megjithatë, rideklarimi i pasqyrave të bizneseve mund ta nxisë këtë fenomen. Për shembull, rideklarimi i gjendjeve të parave në arkë mund të ketë burim paratë e pista (korrupsioni, etj.). Por nëse kjo shumë parash që rideklarohet vjen nga evazioni, normalisht, në kuptim të ligjit, duhet të konsiderohet e lejueshme për t’u rideklaruar pa pasoja penale. Pyetja është se kush e ndan dhe si e përcakton që janë burim nga evazioni dhe jo nga burime të tjera të pista e të palejueshme?

Sektori i ndërtimit, për shkak të specifikave, mund të përfitojë, por jo vetëm; ka edhe sektorë të tjerë të ekonomisë ku bëhen investime që mund të përfitojnë nga rideklarimi.

Pasi ka lidhur marrëveshjen apo ka rideklaruar pasqyrat, a rrezikon një biznes të hetohet më vonë për pastrim parash apo për evazion dhe fshehje detyrimesh?

Nga mënyra se si paraqiten udhëzimet e nxjerra nga MF dhe nga AIF, duket që ka mundësi për hetime. Normalisht ligji fal evazionin dhe fshehjen e deklarimeve tatimore, pra çdo të ardhur apo pasuri që ka ardhur nga evazioni nuk duhet të jetë e dënueshme. Sipas ligjeve dhe udhëzimeve të dala, do të luftohen dhe nuk do të lejohen vetëm pastrimi i parave të pista nga aktivitete joligjore (përveç atyre që vijnë nga evazioni). Gjithsesi, ligji për Paqen Fiskale ka paqartësi për këtë çështje.

Debat ka shkaktuar edhe ligji i faljes së detyrimeve në Tatime, Dogana dhe pushtetin vendor, që fshin të gjitha detyrimet e papaguara deri në vitin 2014 dhe pjesërisht pas kësaj periudhe, me kushtin që të paguhet një pjesë e detyrimit. Nga Ministria e Financave është deklaruar se në total, deri në vitin 2014 fshihen 1 miliard euro detyrime të papaguara. A e konsideroni lehtësi për bizneset këtë amnisti apo ulje fiskale duke rënduar tatimpaguesit e rregullt?

Fshirja e detyrimeve të vjetra, sidomos ato deri në vitin 2014, apo e gjobave dhe kamatëvonesave përbën lehtësim për bizneset, me qëllim që të mundësojnë rregullimin e marrëdhënieve me organet tatimore. Normalisht detyrimet para vitit 2014 nuk duhet të ekzistonin të pambledhura. Vështirë të imagjinohet si disa miliarda lekë detyrimesh nuk janë mbledhur gjatë kaq shumë viteve, kur sot, edhe nëse kalon pak ditë nga pagesa e një detyrimi të vogël, vjen njoftimi nga DPT për të bërë pagesën apo edhe bllokimi i llogarive bankare.

Duhet të shihet se cilat biznese kanë kaq shumë detyrime të papaguara prej mbi 10 vitesh dhe pse. Kjo tregon dobësi gjatë këtyre viteve në administrimin tatimor ose diçka tjetër. Gjithashtu, mund të tregojë raste të vendosjes së detyrimeve dhe gjobave të padrejta dhe të pabazuara, gjë që ka sjellë zvarritjen e pagesave të tyre apo mungesën e mekanizmave për të mundësuar arkëtimin e detyrimeve, qoftë edhe pjesor, siç e kanë shumë shtete të tjera.

Një pjesë e faljeve të gjobave lehtëson vërtet bizneset (p.sh. falja e gjobave për mosdeklarim në kohë të deklaratave tatimore ose rastet kur gjobat kalojnë vlerën e detyrimit bazë). Megjithatë, amnistitë apo faljet e gjobave të përsëritura dhe kaq të shpeshta patjetër që ndikojnë në uljen e disiplinës fiskale dhe në padrejtësi midis tatimpaguesve.

Për të dyja këto ligje gjatë zbatimit, çfarë duhet të kenë parasysh institucionet shtetërore? A është transparenca, si bërja publike e një liste të përfituesve, sa e domosdoshme?

Institucionet shtetërore duhet të kenë kujdes që këto ligje të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe transparente. Të mos bëhet zbatim selektiv dhe i pabarabartë. Të njoftohen në kohën e duhur të gjithë tatimpaguesit që mund të përfitojnë nga këto ligje dhe të mos pengohen.

Koha për të zbatuar fshirjen e detyrimeve dhe gjobave është shumë e shkurtër, pasi edhe udhëzimet kanë dalë me vonesë. E drejta për të kërkuar apo për të fshirë detyrimet dhe gjobat për vitet 2015–2024 fillon nga data 5 qershor, dhe për të falur gjobat, p.sh. nëse paguhet 50% e detyrimit, pagesa duhet të bëhet brenda 30 qershorit. Kjo do të thotë vetëm 25 ditë për të njohur dhe zbatuar këtë të drejtë ligjore. Mbase ky afat duhet të shtyhet me ligj.

Transparenca është shumë e nevojshme. Nëse bëhet publike lista me të gjithë subjektet që kanë përfituar nga këto fshirje apo rideklarime, atëherë qytetarët dhe tatimpaguesit duhet të dinë se kush dhe sa ka përfituar, sepse koston e këtyre faljeve e paguajnë tatimpaguesit e rregullt dhe qytetarët.

Scroll to Top