Lapaj fton protestë kundër qeverisë dhe padrejtësive

Lapaj fton qytetarët: Protestoni kundër padrejtësive

Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë nesër, në orën 18:00, në protestën para Kryeministrisë.

Në një deklaratë për mediat, Lapaj u bëri thirrje të protestojnë të gjithë atyre që u janë larguar fëmijët nga vendi, si dhe atyre që përballen me padrejtësi nga sistemi i tatimeve.

Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin Rama, duke e cilësuar “regjisorin” që ka vendosur narkotrafikun në qendër të republikës dhe që ka probleme të shumta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në këtë vend ka shumë arsye për të reaguar,” tha Lapaj. Ai shtoi:

  • “Ata që janë përmbytur në muajt e fundit duhet të pyesin veten nëse duhet të protestojnë kundër kësaj qeverie. Unë i ftoj nesër në orën 6 pasdite të protestojnë.”
  • “Ata që u largohen fëmijët duhet ta pyesin veten nëse duhet të protestojnë përballë atyre që u largojnë fëmijët dhe përballë kapjes së shtetit.”
  • “Ata që u janë prishur pronat përtej çdo logjike dhe ligji, dhe sa herë ndodh, gjenden të pafuqishëm, duhet të pyesin veten nëse duhet të protestojnë dhe të bashkohen.”
  • “Ata që shkojnë në spital dhe nuk gjejnë ilaçe duhet të pyesin veten nëse mjafton të ankohen apo duhet të protestojnë.”
  • “Ata të cilët përballen me tatimet dhe padrejtësinë e gjobëvënësve që mbajnë uniformën e shtetit, duhet të pyesin veten nëse duhet të bashkohen dhe të protestojnë.”
  • “Të gjithë ata që përballen me pamundësinë, duhet të pyesin veten nëse ja vlen të ikin pa luftuar për ta lënë këtë vend.”

“Prandaj, të gjithë i ftoj të bashkohen në protestë, secili për problemin që mendon se nuk funksionon në këtë vend dhe duhet ndryshuar,” vijoi ai. “Të bashkohen përballë njeriut që është regjisori i një sistemi që ka vendosur narkotrafikun në qendër të kësaj republike, duke e kthyer në një republikë problematike për ne, por edhe për ata që ai ka kaq shumë probleme me ta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” përfundoi Lapaj.

Scroll to Top