“`html
“Fshehja” e ndërtimit: Sipërfaqja e lejeve vlerësohet 4 herë më e madhe se statistikat zyrtare
INSTAT raportoi se në tremujorin e dytë të vitit 2025 u miratuan 460 leje ndërtimi për godina të reja, duke shënuar një rritje prej 30.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u miratuan 352 leje. Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet e reja në këtë tremujor është 307,127 m², duke shënuar një rritje prej 10.3% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025 (278,389 m²).
Duke iu referuar të dhënave të tremujorit të mëparshëm, për gjashtëmujorin e parë të vitit, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në periudhën janar-qershor është 684 mijë metra katrorë, me një rritje prej gati 12% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Megjithatë, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, sipërfaqja e lejeve rezulton të ketë rënë me 43%.
Ky ndryshim nuk është një rënie reale, por lidhet me faktin se që nga viti 2025, INSTAT raporton vetëm lejet e miratuara nga bashkitë. Ky institucion nuk përfshin lejet e dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i cili shqyrton dhe miraton projektet për rezidencat dhe kullat.
Sipërfaqja e dhënë është gati 4 herë më e lartë se deklarimi zyrtar
INSTAT sqaron se që prej fillimit të vitit 2025, statistikat mbi lejet e ndërtimit mbështeten vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Megjithatë, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive.
Për shkak të mungesës së një raportimi të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto entitete pranë INSTAT, të dhënat e publikuara bazohen vetëm në burimet bashkiake dhe nuk përfshijnë të dhënat e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), i cili jep leje për ndërtime mbi 6 kate.
Në muajt e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka shqyrtuar qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, duke përfshirë projekte turistike, rezidenciale, infrastrukturë publike, si dhe ndërhyrje në energji dhe transport. Këto leje nuk raportohen në statistikat zyrtare, duke krijuar një mungesë transparence.
Në mungesë të përditësimit të të dhënave nga INSTAT për sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë shërbejnë si treguesi më i saktë për përmasat që pritet të marrë sektori i ndërtimit në vend. Ndonëse sipërfaqja e ndërtimit rezulton me rritje modeste krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 dhe me rënie 43% nga gjashtëmujori i parë i vitit 2024, të dhënat e tjera nga të ardhurat nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë tregojnë një realitet tjetër.
Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, janë arkëtuar nga “taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja” në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%). Edhe krahasuar me vitin 2024, i cili mbante rekordin e dekadës së fundit për të ardhurat nga kjo taksë dhe sipërfaqen më të lartë të lejeve të dhëna, të ardhurat janë më se dyfishuar (+120%).
Për krahasim, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, kur INSTAT i raportoi të dhënat e plota, ishin dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 1.2 milionë metra katrorë. Për të njëjtën periudhë, të ardhurat nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë ishin 8.7 miliardë lekë. Nga të dhënat rezulton se në vitin 2024 u arkëtuan rreth 7,200 lekë për çdo metër katror leje ndërtimi.
Duke aplikuar të njëjtin supozim (arkëtimi prej 7.2 mijë lekë për metër katror leje ndërtimi), për të ardhurat prej 18.3 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, vlerësohet të jenë dhënë leje për një sipërfaqe prej 2.5 milionë metra katrorë, ose gati 4 herë (3.7 herë) më shumë sesa raporton INSTAT për të njëjtën periudhë (684 mijë metra katrorë).
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, 68% e të ardhurave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 kanë ardhur nga Bashkia Tiranë, ose 12.5 miliardë lekë. Kjo shumë është gati sa e gjithë shuma e arkëtuar për gjithë vitin 2025 dhe përbën një rritje prej 362% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 (në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 u arkëtuan 2.7 miliardë lekë). Kjo tregon se një pjesë e madhe e lejeve janë dhënë për kryeqytetin.
Ndryshimi i fundit i çmimeve referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë është bërë në korrik 2023, me VKM nr. 457, datë 26.07.2023. Çmimet e reja hynë në fuqi në fund të korrikut 2023 dhe zbatohen për 32 zona kadastrale të Tiranës. Kjo nënkupton se rritja e të ardhurave është tërësisht si rrjedhojë e shtimit të sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi.
Ky analizë përbën një vlerësim, duke qenë se mungon transparenca e informacionit nga institucionet zyrtare. Monitor i është drejtuar zyrtarisht KKTU-së për sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim, por ata kanë dërguar vetëm një link ku publikohen vendimet, të cilat nuk janë të plota. Për të “zbuluar” sipërfaqet, kërkohet një punë kolosale për shkarkimin e vendimeve dhe hedhjen manuale të të dhënave.
“`
