Lëvizja e Salianjit për ndryshim trondit Partinë Demokratike
Me qëllime të shprehura publikisht për “ringritje” dhe “rizgjimin” e Partisë Demokratike, ish-deputeti dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Ervin Salianji, ka nisur një seri takimesh me strukturat e partisë. Kjo lëvizje shihet si një sfidë ndaj kryetarit historik, Sali Berisha, dhe një kërkesë për analizë pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Salianji, i shoqëruar nga Ilir Alimehmeti, një nga kandidatët më të votuar për listën e Tiranës, zhvilluan një takim me demokratët e Durrësit të mërkurën. Në takim u theksua nevoja që demokratët të dëgjohen nga drejtuesit e partisë. “Personalisht e ndjej plagën tuaj dhe të çdo demokrati, humbjet dhe vjedhjet na kanë gërryer shpirtin dhe e di zhgënjimin. I di problemet me listat e mbyllura,” tha Salianji gjatë takimit.
Megjithëse nuk ka shpalosur ende ambicie të hapura për të sfiduar kreun e Partisë apo një platformë konkrete për reformimin e saj, lëvizja e Salianjit ka nxitur diskutime brenda partisë më të madhe opozitare, e cila është përballur me përçarje dhe rënie të elektoratit që nga humbja e pushtetit në vitin 2013.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi të enjten Salianjin për një “axhendë personale dhe private”, ndërsa hodhi akuza edhe për pjesëmarrësit e tjerë në takimin e Durrësit. “Aty ishte një grup i pakënaqurish. Kishte të tjerë që punuan për PS dhe kanë frikë se do t’u dalë z Bardhi,” tha Berisha për gazetarët. Ai paralajmëroi se do të kishte “llogaridhënie” para strukturave për ata që, sipas tij, nuk kanë punuar për fushatën e PD-së. “Agjenda private, disa prej tyre që njoha sepse pashë individë që ia kanë mbathur në fushatë për turizëm…,” shtoi ai.
Salianji u zgjodh deputet në vitin 2017 si përfaqësues i qarkut të Korçës, por mandati i tij u ndërpre në shtator të vitit 2024 pas dënimit me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë, lidhur me një audio-përgjim ku pretendohej se ekspozoheshin lidhjet kriminale të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Procesi gjyqësor u cilësua nga Salianji dhe Partia Demokratike si i montuar politikisht.
Salianji ka afruar pranë vetes të tjerë të pakënaqur brenda radhëve të PD-së, si doktor Alimehmeti, një figurë e re karizmatike që nuk mundi të hynte në parlament për shkak të rezultatit të dobët të Partisë Demokratike në Tiranë.
Pavarsësisht sulmeve nga drejtuesit e partisë, ekspertët e politikës e shohin këtë lëvizje si të shëndetshme për demokracinë brenda partisë, edhe pse sipas tyre i mungon vizioni për të adresuar krizën e besueshmërisë publike të Partisë Demokratike.
“Lëvizja e Salianjit dhe Alimehmetit është shenjë e një pakënaqësie brenda PD-së, po aq sa dhe një shenjë e një mundësie për rivalitet për kreun e partisë,” tha Ermal Hasimja, pedagog i Shkencave Politike. Sipas tij, Salianji dhe Alimehmeti nuk janë të parët që e provojnë, por janë në kushte pak më të ndryshme se “kryengritjet” e mëparshme, për shkak të situatës së vështirë ku ndodhet sot opozita. “Me shumë gjasa në ditët në vijim do të krijohet një spirale rritëse përballjeje politike të shëndetshme brenda partisë. Them të ‘shëndetshme’, sepse mendoj se rreziku më i madh i PD-së është status quo-ja, dhe jo sfidimi i situatës,” shtoi Hasimja.
Analisti Neritan Sejamini e shikon me skepticizëm lëvizjen e re dhe faktin që, si drejtuesit e partisë, edhe të tjerët zhvillojnë takime me militantët brenda partisë. “Problemi kryesor i zhvillimeve në PD është se merren vetëm me militantët e partisë, ndërkohë që kjo parti ka problem me besueshmërinë publike,” tha Sejamini për BIRN, duke shtuar se “aktivitetet partiake s’ka pse të bëhen para kamerave se rrezikojnë të dobësojnë thelbin e diskutimit.”
Gjithsesi, Sejamini e quan të mirë çdo lëvizje në aspektin e sfidimit për kryetar të PD-së, por ky sfidim, sipas tij, duhet të ketë një vizion të qartë për publikun. “Berisha ka thënë që do të rikandidojë për kryetar dhe sfida është e mirë në këtë drejtim, por ata që kandidojnë duhet të kenë një vizion, jo vetëm për forcimin e PD-së, por një vizion për Shqipërinë dhe se si duhet të jetë qeverisja e PD-së,” sugjeron Sejamini.
Lëvizja e udhëhequr nga Salianji dhe Alimehmeti vjen në një kohë kur konflikti i brendshëm në Partinë Demokratike është ende i freskët dhe ku beteja politike dhe ligjore mes Berishës dhe ish-kryetarit Lulzim Basha zgjati për më shumë se dy vite. Konflikti, që shkoi deri në përplasje fizike mes mbështetësve të dy palëve për të marrë selinë e partisë, nisi në vjeshtën e vitit 2021, kur Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Berisha, i cili u dorëhoq nga drejtimi i partisë pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, por vijoi të ishte deputet dhe të ruante ndikimin politik, nisi të ashtuquajturën ‘foltore’, një tur takimesh me anëtarët e partisë që kulmuan me krijimin e strukturave paralele dhe rimarrjen përfundimtare të drejtimit të kësaj partie. Megjithatë, Berisha nuk arriti të fitonte besimin e publikut për të sjellë sërish në pushtet Partinë Demokratike, ndërkohë që përballet me drejtësinë për akuza korrupsioni në lidhje me dosjen e ish-klubit sportiv Partizani.