Qeveria do të vendosë licencimin e detyrueshëm për agronomët. Projekti i ri ligjor parashikon krijimin e Urdhrit të Agronomit, duke kërkuar licencë të detyrueshme për ushtrimin e këtij profesioni në Shqipëri.
Sipas projektligjit të propozuar, “asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e agronomit në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Agronomit”. Gjithashtu, profesionet që lidhen me fushën e agronomisë do të duhet të regjistrohen në një regjistër të veçantë profesional.
Projektligji përcakton se Urdhri i Agronomit do të jetë një ent publik jobuxhetor, me personalitet juridik dhe i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Detyrat kryesore të Urdhrit do të përfshijnë administrimin e regjistrit profesional, lëshimin, pezullimin ose heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit, si dhe mbikëqyrjen e respektimit të etikës dhe standardeve profesionale.
Në relacionin shoqërues, Ministria e Bujqësisë argumenton se sektori bujqësor është një kontribues i rëndësishëm për Prodhimin e Brendshëm Bruto (mbi 18%) dhe ofron punësim për rreth 40% të popullsisë aktive. Megjithatë, profesioni i agronomit ka munguar prej kohësh një kuadër ligjor specifik për rregullimin e tij.
Dokumenti evidenton mungesën aktuale të një baze të dhënash të detyrueshme për agronomët, mekanizmave për sanksionimin e praktikave jo profesionale, si dhe të një sistemi të zhvillimit profesional të vazhdueshëm. Kjo mungesë rregullimi, sipas relacionit, ka pasur ndikim edhe në sigurinë ushqimore, duke përmendur raste të keqpërdorimit të pesticideve dhe produkteve fitosanitare nga persona pa formimin e duhur profesional. Kjo ka çuar në produkte me ngarkesë kimike mbi kufijtë e lejuar nga Bashkimi Europian dhe raste të kthimit të mallrave në eksport.
Çfarë synon Urdhri
Projektligji parashikon që agronomët të dokumentojnë rekomandimet teknike, të garantojnë gjurmueshmërinë e ndërhyrjeve agronomike dhe të mbajnë evidenca të verifikueshme për trajtimet e zbatuara.
Krijimi i Urdhrit të Agronomit synon të sigurojë cilësinë dhe kompetencën profesionale përmes diplomimit universitar, provimit të shtetit, zhvillimit profesional të vazhdueshëm dhe respektimit të kodit të etikës.
Një nga funksionet e reja të kësaj strukture do të jetë edhe mekanizmi disiplinor. Projektligji parashikon masa që variojnë nga vërejtja me shkrim deri te përjashtimi i përkohshëm nga Urdhri për një periudhë deri në tre vjet. Komisionet disiplinore gjithashtu do të kenë të drejtë të vendosin gjoba nga 1,500 deri në 100 mijë lekë për shkelje profesionale.
Në aspektin institucional, Urdhri do të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe institucionet e tjera kërkimore e arsimore të sektorit. Ministria do të informohet çdo gjashtë muaj mbi anëtarësimet dhe masat disiplinore të marra.
Për ngritjen e institucionit të ri, projektligji parashikon financim nga buxheti i shtetit për vitin e parë të funksionimit. Kostoja totale për vitin e parë parashikohet të jetë rreth 42.3 milionë lekë, ku shpenzimet kryesore do të jenë për krijimin e regjistrit elektronik profesional. Pas vitit të parë, Urdhri i Agronomit do të financohet nga kuotizacionet e anëtarëve, tarifat e regjistrimit, tarifat për shërbime dhe burime të tjera të ligjshme.
Projektligji parashikon që zgjedhjet e para të organeve drejtuese të organizohen nga një komision i përkohshëm i ngritur nga ministri përgjegjës për bujqësinë, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
