Lubonja: Kryeministri drejtues i “bandës së madhe”

Lubonja për skandalin e AKSHI-t: Kryeministri në krye të “bandës së madhe”

Publicisti Fatos Lubonja, në emisionin “Kjo Javë” në News 24, komentoi deklaratën e kryeministrit lidhur me ish-drejtoren e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke e cilësuar atë si “gënjeshtrën e radhës në serialin e mashtrimeve të tij”.

Lubonja e quajti kreun e mazhorancës si drejtuesin e sistemit të kapur dhe të ashtuquajturën “bandë e madhe”, duke theksuar se kryeministri ka pasur dijeni për pasuritë e Karçanajt, të cilat u sekuestruan së fundmi nga SPAK.

“Nuk mund ta shohim si rast të veçuar, sikur kemi të bëjmë me një organizatë kriminale. Këtu është bandë e madhe, me në krye kryeministrin. Këta janë skuadronet e bandës të shpërndara tej e tej dhe gjithandej,” tha Lubonja.

Ai e krahasoi situatën me skandalin në Hungari, ku kryeministri Orban u përball me akuza për mbrojtjen e një pedofili në një jetimore. Lubonja theksoi se në rastin e Shqipërisë, jemi përpara një situate ku kryeministri del publikisht dhe mbron një person, ndërkohë që dihet për pasuritë e tij të jashtëligjshme.

“Këtu kemi të bëjmë me bandë, pastaj e rrëzon apo s’e rrëzon është problem tjetër. Kemi fuqi ta rrëzojmë këtë bandë apo na ka vënë në rresht e jashtë loje. Pra, ajo del pjesë e asaj bande dhe ti të dalësh e të flasësh për të, kjo s’është në rregull,” u shpreh Lubonja.

Analisti theksoi se ky sistem mund të rrëzohet vetëm përmes presionit të gjithanshëm, duke përfshirë qytetarët dhe drejtësinë e re.

“Për mua sistemi është i gjerë, janë hallkat, është kryeministri në krye të sistemit. Padyshim që merr goditje, ti del e thua ajo është pa shtëpi kur ti e di se sa lekë ka ajo. A kemi forcë, them edhe SPAK e drejtësia, por edhe opinioni publik që të bëhet presion, të shtohet presioni, që të shikohet i gjithë sistemi i kapur,” vijoi ai.

Lubonja përmendi si analogji deklaratën e mëparshme të kryeministrit për një shtëpi 5 mijë metra katrorë, të cilën pretendoi se e kishte bërë me paratë e emigracionit.

“Mjafton rasti i shtëpisë 5 mijë metra katrorë e që tha se i bëri me paret e emigracionit. Ku i ke faturat? Boll kjo për të kuptuar që kemi të bëjmë me një gënjeshtar serial. Kjo ishte një nga gënjeshtrat e radhës të Ramës, dhe ai i mbulon gënjeshtër pas gënjeshtre. Një gënjeshtër e mbulon me një tjetër,” përfundoi Lubonja.

Scroll to Top