“`html
Rusia dhe Ukraina mbi 4 vjet në luftë: Putin refuzon ftesën e Zelensky
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka reaguar pas ftesës së homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një takim. Shefi i Kremlinit ka deklaruar se aktualisht nuk sheh asnjë arsye për t’u takuar me presidentin ukrainas.
Duke folur në forumin ekonomik vjetor, ku disa nga biznesmenët më të pasur të Rusisë u ankuan për normat e larta të interesit dhe ngecjen ekonomike që rrjedh nga lufta, Putin tha se letra e Zelenskyt nuk dukej si një ofertë e sinqertë për të zhvilluar bisedime.
Ai shtoi: “Kjo letër përmban disa vërejtje mjaft të pahijshme. A ishte një mënyrë për të krijuar kushtet për një takim ballë për ballë apo një mënyrë për të mos caktuar një takim ballë për ballë? Mendoj se ishte e dyta”.
I pyetur nëse do të takohej me Zelenskyn, të cilin presidenti rus ishte i kujdesshëm të mos ia përmendte emrin, por ta quante vetëm si “autori i letrës”, Putin reagoi prerë: “Nuk e shoh qëllimin e takimit; e vetmja pikë është që pala ukrainase të ndalojë përparimin e forcave tona të armatosura. Por ne kemi nevojë për marrëveshje – jo për gjashtë muaj, jo për tre muaj, por për një afatgjatë. Le të fillojnë ekspertët të punojnë dhe të dalin me disa zgjidhje. Pas kësaj, mund të takohemi…”.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, publikoi një letër të hapur duke propozuar që udhëheqësit të zhvillojnë bisedime sy më sy për të rënë dakord për t’i dhënë fund luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Në letrën e tij, e cila iu dërgua vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Zelensky tha se shumica e rusëve ishin lodhur nga sulmet me raketa dhe dronë ukrainas, inflacioni i lartë dhe mungesa e karburantit, dhe se janë gati për paqe.
Ai gjithashtu sugjeroi se vazhdimi i luftës mund të kërcënonte vetë pozicionin e Putinit, duke thënë se historia ka treguar se kur Rusia lodhej, vinte ndryshimi.
“`
