Masakër në Ekuador: Tetë trupa të gjetur në qese plastike

Masakër në Ekuador: Tetë trupa të gjetur të braktisur në qese plastike

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Ekuador, ku autoritetet kanë zbuluar tetë trupa të pajetë, të fshehur brenda qeseve plastike në një zonë bregdetare në jugperëndim të vendit.

Sipas hetimeve paraprake, trupat u gjetën pranë qytetit Babahoyo, rreth 60 kilometra larg Guayaquil-it, porti më i madh i vendit dhe një prej qendrave të dhunës së lidhur me trafikun e drogës.

Policia po verifikon nëse viktimat janë tetë persona të raportuar të zhdukur ditët e fundit. Dyshohet se shumica e tyre i përkisnin së njëjtës familje.

Ministri i Brendshëm, John Reimberg, deklaroi se pranë vendit ku u gjetën viktimat është zbuluar edhe një mesazh kërcënues, ku përgjegjësinë për krimin e merr grupi kriminal “Los Lobos”.

Autoritetet besojnë se ngjarja lidhet me luftën e ashpër për kontroll territori mes kësaj organizate dhe rivalëve të saj, “Los Choneros”. Të dy grupet konsiderohen ndër organizatat kriminale më të rrezikshme në Ekuador dhe akuzohen për trafik droge, rrëmbime, zhvatje dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Hetuesit kanë ngritur gjithashtu dyshime për lidhje të tyre me kartele ndërkombëtare të narkotikëve, veçanërisht ato meksikane.

Scroll to Top