Rritet me 28% fondi për barnat e rimbursueshme, lista zgjerohet me 20 ilaçe në 2027
Fondi i parashikuar për rimbursimin e barnave pritet të shënojë një rritje të ndjeshme vitin e ardhshëm. Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për vitin 2027 parashikohen 17.28 miliardë lekë për pacientët e trajtuar me receta me rimbursim. Ky fond është dukshëm më i lartë se 13.5 miliardë lekë që janë në dispozicion aktualisht.
Në vlerë absolute, fondi pritet të shtohet me rreth 3.78 miliardë lekë, çka përfaqëson një rritje prej 28% krahasuar me vitin 2026. Rritja e parashikuar për vitin e ardhshëm është konsiderueshëm më e lartë se ajo e vitit aktual. Për vitin 2026, fondi për Listën e Barnave të Rimbursueshme u rrit me 900 milionë lekë, duke kaluar nga 12.6 miliardë lekë në vitin 2025 në 13.5 miliardë lekë, një rritje prej rreth 7%.
Rritja e financimit për barnat me rimbursim parashikohet të vazhdojë edhe në dy vitet pasuese, megjithatë me ritme më të ngadalta. Në vitin 2028, fondi pritet të arrijë në 18.23 miliardë lekë, duke shënuar një shtesë prej rreth 942 milionë lekësh më shumë se në vitin 2027, ose një rritje prej 5.5%. Për vitin 2029, financimi parashikohet në 18.81 miliardë lekë, me një shtesë tjetër prej rreth 585 milionë lekësh, ose 3.2%.
Krahas rritjes së financimit, dokumenti afatmesëm parashikon edhe zgjerim gradual të Listës së Barnave të Rimbursueshme. Numri i barnave në listë, nga 1,356 në vitin 2026, parashikohet të rritet në 1,376 në vitin 2027, në 1,396 në vitin 2028 dhe në 1,406 në vitin 2029. Kjo do të thotë se gjatë tre viteve të ardhshme pritet shtimi i rreth 50 barnave në listën e rimbursimit.
Numri i pacientëve të financuar nëpërmjet kësaj skeme parashikohet të mbetet rreth 400 mijë në vit gjatë periudhës 2027–2029. Financimi mesatar buxhetor për pacient rritet nga rreth 33,750 lekë në vitin 2026, në afërsisht 43,200 lekë në vitin 2027 dhe rreth 47 mijë lekë në vitin 2029.
Këto shifra përfaqësojnë raportin mes fondit total dhe numrit të pacientëve dhe jo shumën individuale të rimbursimit që merr çdo pacient, e cila ndryshon sipas diagnozës dhe barnave të përdorura.
Rritja e parashikuar për vitin 2027 e çon kështu fondin e rimbursimit të barnave në një nivel rreth 49% më të lartë se në vitin 2025, kur për këtë qëllim ishin parashikuar 12.6 miliardë lekë. Megjithatë, edhe kjo shumë mund të mos jetë e mjaftueshme për të plotësuar nevojat me medikamente të një popullsie në plakje dhe me rritje të barrës së sëmundjeve.
