Memli Krasniqi rrëfen prapaskenat e dorëheqjes nga PDK-ja
Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka treguar se nuk e ka imagjinuar kurrë se do të ndiqte një rrugëtim të tillë politik. Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai foli për arsyet që çuan në largimin e tij nga drejtimi i partisë.
Krasniqi theksoi se dita e parë kur mori drejtimin e partisë ishte më e vështirë se dita kur hoqi dorë nga ajo. “Dita më e vështirë ka qenë dita kur u zgjodha kryetar. Ka qenë një nder i madh, një besim i jashtëzakonshëm. Pikërisht sepse ishte në një moment, për të cilin tani më vjen keq ta them, por ju e dini të gjithë, kishte pasur njëfarë gjysëm shkapërderdhje brenda subjektit tonë, një mungesë të madhe besimi. Këto ishin rrethanat: rezultate shumë të ulëta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, vetëm 5 komuna që udhëhiqnim nga viti 2017, dhe zgjedhjet lokale para nesh. Mua më duhej të zgjidhja kryetarët e degëve rreth 1 muaj pasi mora detyrën. Më duhej brenda një muaji të propozoja dhe zgjidhja një kryesi të re, si dhe t’i jepja një drejtim dhe vizion PDK-së”, tha Krasniqi.
Ai shtoi: “Jo se ka qenë e lehtë kjo e sotmja, sepse ky vendim nuk ka të bëjë me lodhjen time, aspak, apo me ndonjë situatë zhgënjimi. Përkundrazi. Kjo thjesht ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë, më shumë se një vit, sepse unë kam pasur një objektiv dhe një qëllim të përgjithshëm, që PDK të rikthehet si faktor kryesor politik”.
Krasniqi u shpreh se kishte dëshirë që të formohej një qeveri nga ish-partitë opozitare, por kjo nuk ndodhi. “Pra, ishte një angazhim për ta kthyer PDK-në si forcën e pashmangshme politike, gjë që është evidente tani, si dhe për të rikthyer besimin e votuesve tanë tradicionalë dhe të qytetarëve përtej nesh. Dhe kjo ka ndodhur. Por, objektivi im ka qenë që Bedri Hamza të jetë kryeministër i Kosovës. Megjithatë, ne për pak nuk e arritëm këtë gjë, nuk arritëm të bindim partitë e ish-opozitës të bashkohemi në një qeveri, përkundër që formalisht i kishim numrat. Në rast se kjo do të ndodhte, do t’i shpallja zgjedhjet e brendshme brenda partisë, i plotësuar, dhe nuk do të konkurroja për një mandat të ri”, u shpreh Krasniqi.
“Unë nuk e kam pasur kurrë ambicien e të qenit kryeministër. Kush më njeh, e di. Unë pushtetin për vete nuk e kam kërkuar asnjëherë, as pozicionin e kryetarit të PDK-së nuk e kam kërkuar asnjëherë”, tha ai.
Krasniqi u pyet edhe nëse për vendimin e dorëheqjes kishte njoftuar edhe ish-kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët aktualisht janë në Hagë. “Ata janë njoftuar sot, edhe përmes mediave. Sot ka pasur një seancë gjyqësore. Ka dëshmuar ish-ambasadori Hill. Por, disa nga miqtë dhe kolegët tanë që janë pjesë e ekipeve mbrojtëse, kanë pasur mundësi t’i njoftojnë ata gjatë pauzave”, tha Krasniqi.
Ai dha edhe preferencën e tij për kryetarin e ardhshëm të PDK-së. “Prej nesër e deri të hënën, kandidaturat janë të hapura, secili që i plotëson kriteret statutore ka të drejtë të garojë, por preferenca ime është zoti Bedri Hamza”, u shpreh Krasniqi. Ai shtoi se ashtu siç i kishte besuar ish-kryetarit të komunës së Mitrovicës për të udhëhequr vendin, i beson edhe për drejtimin e PDK-së.
Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, dhe më parë ka mbajtur poste ministrore në qeveritë e Kosovës.
