Merz përcjell mesazh për Krishtlindje: Gjermania e angazhuar për paqe dhe siguri në Evropë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ritheksoi sot angazhimin e qeverisë së tij për të siguruar që paqja dhe siguria të mbizotërojnë në Evropë. Në një videomesazh të cilin e dërgoi me rastin e festave të Krishtlindjeve, Merz theksoi se qeveria do të punojë me këmbëngulje për të avancuar interesat gjermane.
“Në këta muaj dhe vite, bëhet fjalë për paqen, për sigurinë dhe për prosperitetin e të gjithë kontinentit tonë. Në këtë frymë, ne ndihemi të përkushtuar ndaj Gjermanisë dhe Evropës. Varet nga ne. Qeveria do të bëjë detyrën e saj dhe do të punojë me durim dhe këmbëngulje për të çuar përpara interesat e Gjermanisë,” shtoi ai.
Kancelari, i cili drejton një qeveri koalicioni të përbërë nga blloku i tij konservator dhe Social Demokratët, pranoi se arritja e kompromisit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. “Pati diskutime dhe jo gjithçka shkoi plotësisht mirë,” theksoi ai.
