Meta kundër SPAK: Akuza për mashtrim në letër-porosinë drejtuar SHBA

Meta kundër SPAK nga qelia: Kurrë s’kam përdorur kartë bankare amerikane!

Nga qelia, Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke pretenduar se kjo e fundit ka mashtruar qëllimisht në letër-porosinë dërguar autoriteteve amerikane në mars 2025. Sipas Metës, SPAK e paraqet si fakt të kryer përdorimin e një karte bankare nga ana e tij, gjë që ai e mohon kategorikisht.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Meta shprehet se nuk ka përdorur kurrë një kartë të tillë dhe as nuk ka pasur dijeni që të afërm të tij të kenë përdorur ndonjë kartë bankare amerikane apo europiane. Ai gjithashtu thekson se nuk ka qenë kurrë në ndonjë vend ku mund të jenë përdorur karta të tilla.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Çdo letër-porosi e nisur nga Prokurorët e SPAK-ut në SHBA, ka patur vetëm një qëllim: manipulimin dhe keqpërdorimin e autoriteteve amerikane kundër Ilir Metës. Asnjë letër-porosi nuk është nisur në respekt të kontratës ligjore GSIS-LSI, të regjistruar në SHBA dhe në Shqipëri.

Qëllimi ka qenë krijimi i mjegullës, por jo provimi i fajësisë së hamendësuar të Ilir Metës, sepse prokurorët kanë qenë të bindur që në fillim, që gjithçka ka qenë mashtrim, siç rezultoi edhe me McKeon Group.

Shikoni si mashtrojnë hapur dhe qëllimisht prokurorët e SPAK-ut, me firmë dhe me vulë, Departamentin e Drejtësisë në SHBA, sikur gjoja e kanë të provuar se unë kam përdorur të paktën tre karta bankare amerikane.

Sikur t’u thoshin: “Na ndihmoni se dyshojmë që Ilir Meta mund të ketë përdorur karta bankare amerikane”, po e pranojmë si logjikë, sepse dyshimi është gjithmonë i pranueshëm. Por t’i mashtrosh me vetëdije duke u thënë autoriteteve amerikane, sikur gjoja e kemi të provuar se Ilir Meta ka përdorur tre karta bankare amerikane, është një mashtrim i qëllimtë i autoriteteve amerikane dhe një komprometim i raporteve të bashkëpunimit transparent midis dy vendeve.

Duke e publikuar sot këtë letër-porosi të datës 11 mars 2025, i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë dhe partnerët amerikanë dhe europianë se:

  • Kurrë në jetën time, jo vetëm nuk kam përdorur një kartë bankare amerikane apo europiane, por as kartë bankare shqiptare.
  • Kurrë nuk kam pasur dijeni që një bashkëpunëtor i imi, ish i afërmi im, apo person i afërt me mua, të ketë përdorur ndonjë kartë bankare të tillë.
  • Kurrë nuk kam qenë në asnjë vend ku mund të jenë përdorur këto karta bankare që pretendojnë prokurorët.

Në të ardhmen, do të shikoni çudira të tjera si këto, sepse ua kemi thënë që në fillim se standardet e rrëmbimit janë identike me vetë standardet e hetimit, me standardet e gjykimit dhe të paraburgimit tim.

Scroll to Top