VIDEO/ Meteorologu në SHBA shpërthen në të qeshura gjatë parashikimit të motit, pamjet bëhen virale
Një ngjarje e papritur, e cila solli shumë të qeshura për shikuesit, ndodhi gjatë një transmetimi televiziv në drejtpërdrejtë në SHBA. Meteorologu Patrick Osborne nuk arriti të përmbante të qeshurën teksa prezantonte parashikimin e motit.
Meteorologu i stacionit televiziv ËABI në Maine po përpiqej ta përfundonte siç duhet raportin e motit të mëngjesit, kur papritmas filloi të qeshte pa ndërprerje. Pavarësisht përpjekjeve të tij për t’u qetësuar, e qeshura u bë gjithnjë e më intensive, duke mos i lejuar as të fliste dhe të vijonte parashikimin e motit.
Siç zbuloi më vonë vetë ai, gjithçka nisi si një shaka që ai kishte planifikuar t’i bënte kolegut të tij, prezantuesit Josh Gabbard. Gjatë një pauze reklamash, Osborne luajti një klip nga “Charlie Brown”, duke synuar të përdorte një tingull karakteristik si shaka. Ajo që ai nuk e kuptoi ishte se videoja nuk ishte një klip i shkurtër, por një koleksion klipesh rreth njëorëshe, në të cilat tingulli specifik përsëritej në intervale të rregullta.
Kështu, kur Osborne filloi raportin e tij të motit, tingulli u dëgjua përsëri, duke e habitur atë dhe duke e bërë të shpërthente në të qeshura të pakontrollueshme. Në videon e transmetuar nga stacioni, meteorologu përpiqet të vazhdojë parashikimin, duke raportuar temperaturat mes të qeshurave dhe duke u kërkuar falje vazhdimisht shikuesve. Përpjekja për të mbajtur të qeshurën e tij, megjithatë, rezultoi e kotë.
Në një moment, ai madje pati vështirësi në formimin e fjalëve, duke e detyruar të largohej nga ekrani dhe pastaj të kthehej. Skena zgjati rreth një minutë.
