Minierat e hapura pas vitit 2000 do të monitorohen për mbrojtjen e mjedisit deri në 2028
Të gjitha minierat dhe metalurgjitë, të hapura apo të trashëguara pas vitit 2000, qoftë ato ende aktive apo të mbyllura, do t’i nënshtrohen procesit të monitorimit me synim mbrojtjen e mjedisit.
Projekti, që do të zhvillohet për periudhën 2026-2028, synon të identifikojë burimet ndotëse, të hartojë masat parandaluese dhe të sigurojë një mjedis minerar dhe metalurgjik të pastër dhe të sigurt. Monitorimi për vlerësimin e gjendjes mjedisore të këtyre objekteve do të shoqërohet me hartimin e një raporti vjetor, i cili do të realizohet çdo vit deri në 2028, me një kosto prej 4 milionë lekësh në vit.
Të dhënat për projektin janë publikuar në dokumentin e programit buxhetor afatmesëm 2026-2028, të rishikuar.
“Projekti do të trajtojë të gjitha objektet minerare dhe metalurgjike, aktive dhe pasive, të trashëguara apo të hapura pas viteve 2000, në përputhje me strategjinë e Qeverisë për mjedisin, me kuadrin ligjor minerar dhe mjedisor, veçanërisht Ligjin Nr. 10304, datë 15.7.2010, ‘Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Projekti do të pasqyrojë gjendjen reale, burimet ndotëse, masat parandaluese dhe ndërhyrjet e nevojshme për një mjedis minerar dhe metalurgjik të pastër dhe pa ndotje”, thuhet në dokument.
Për sektorin minerar, autoritetet do të zbatojnë edhe një tjetër projekt për monitorimin e gjendjes mjedisore te minierat e mbyllura. Sipas parashikimeve, një projekt i tillë do të realizohet çdo vit nga 2026 deri në 2028, me një kosto prej 6,4 milionë lekësh në vit.
“Minierat e mbyllura dhe të braktisura shoqërohen në vazhdimësi me një sërë problemesh. Ndërmarrja e një projekti të tillë mbi monitorimin e rreziqeve minerare është me rëndësi të madhe, sepse parashikon dhe parandalon dukuritë e rreziqeve potenciale minerare, duke krijuar siguri për jetën dhe shëndetin e njerëzve përreth zonave minerare, si edhe për ruajtjen dhe rehabilitimin e mjedisit natyror, për ta kthyer atë gradualisht në një mjedis normal jetese dhe pune”, thuhet në dokument.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, deri më 31 dhjetor 2024, janë dhënë 540 leje shfrytëzimi, sipas llojeve të mineraleve. Numri më i lartë i lejeve aktive është për shfrytëzimin e mineralit të kromit me 243 leje, e ndjekur nga shfrytëzimi i gëlqeroreve në 147 leje shfrytëzimi. 31 leje shfrytëzimi janë aktive për hekur dhe nikel.
