“`html
Ndërtimi nuk do të ndalet: Lejet e reja prekin 2 milionë metra katrorë vetëm në janar-maj
Në vitin 2024, sipërfaqja e lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 2.5 milionë metra katrorë, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me 333 mijë metra katrorë në vitin 2015, përpara fillimit të valës së re të ndërtimeve në vend, veçanërisht në kryeqytet.
Që nga viti 2025, INSTAT nuk publikon më të gjitha të dhënat për sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim. Aktualisht, jepet informacion vetëm mbi lejet e ndërtimit bazuar në të dhënat e siguruara nga bashkitë. INSTAT ka sqaruar se të dhënat e raportuara nuk përfshijnë lejet për ndërtime mbi 7 kate, të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Si pasojë, në vitin 2025, sipërfaqja e deklaruar e lejeve nga bashkitë ishte vetëm 1.3 milionë metra katrorë (pothuajse përgjysmim).
Edhe pse KKT ka dhënë vazhdimisht leje ndërtimi për kulla dhe resorte, nuk ka pasur transparencë për sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim në vitin 2025 dhe në pesë muajt e parë të vitit 2026.
Një tregues indirekt i zhvillimit të sektorit janë të ardhurat e larta nga taksat lokale, ku 50-60% e tyre vjen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Për periudhën janar-maj 2026, nga taksat lokale janë mbledhur rreth 24 miliardë lekë, duke u dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 12.7 miliardë lekë më shumë. Kjo rritje ka kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e të ardhurave totale buxhetore. Për krahasim, të ardhurat buxhetore në janar-maj ishin 34.3 miliardë lekë më shumë, duke treguar se vetëm taksat lokale kanë sjellë 37% të rritjes së buxhetit.
Revista “Monitor”, duke u bazuar në rritjen e fortë të të ardhurave nga taksat lokale, veçanërisht taksa e ndikimit në infrastrukturë, ka përllogaritur, bazuar në të dhënat e vitit 2024, sipërfaqen e mundshme të lejeve të ndërtimit të dhëna vetëm në pesë muajt e parë të vitit. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, rezulton se vetëm në pesë muajt e parë të vitit janë dhënë leje ndërtimi për rreth 2 milionë metra katrorë ndërtime, krahasuar me 2.5 milionë metra katrorë të dhënë për gjithë vitin 2024. Kjo tregon për një vijim edhe më masiv të ndërtimeve në vend, nëse të gjitha projektet që kanë paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë do të realizohen.
Në Tiranë, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja (banim, tregti, shërbime) është 8% e çmimit të shitjes për metër katror, bazuar në vlerën referuese të tregut. Ky nivel u vendos me paketën fiskale të Bashkisë Tiranë për vitin 2016, duke u rritur nga 4% që ishte më parë. Edhe në Durrës dhe Vlorë, ku po ndërtohet masivisht, taksa është 8% në disa zona qendrore (nivele të tjera janë 4-6%), ndërsa në rrethet e tjera varion midis 4-8%.
Llogaritjet: Leje për 2 milionë metra katrorë vetëm në 5 muajt e parë
Në vitin 2024, kur u arrit rekordi i deritanishëm i lejeve, të ardhurat gjithsej nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në të gjithë vendin ishin 18.5 miliardë lekë, ose 57% e totalit të taksave lokale, të cilat arritën në 32.6 miliardë lekë. Bashkia Tiranë mblodhi rreth 77.4% të të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në nivel vendi gjatë vitit 2024.
Në vitin 2025, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u ulën me 11%, duke arritur në 16.4 miliardë lekë (50% e totalit të taksave lokale). Kjo sugjeron një tendencë rënëse të sipërfaqeve të lejeve të dhëna për ndërtim, por jo 50% siç duket nga të dhënat e INSTAT. Në nivel njësie, rreth 40.2% e taksës së ndikimit në infrastrukturë në vitin 2025 u mblodh vetëm nga Bashkia Tiranë, duke dëshmuar një përqendrim të lartë territorial të këtij burimi fiskal, sipas Ministrisë së Financave.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në vend janë rritur nga 1.4 miliardë lekë në vitin 2015, në 16.4 miliardë lekë në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 1057%. Ministria thekson se kjo tregon:
- a) rritje të ndjeshme të aktivitetit të ndërtimit;
- b) rol gjithnjë e më të madh të kësaj takse si burim financiar për njësitë vendore.
“Megjithatë, për shkak të natyrës ciklike të sektorit të ndërtimit, varësia e lartë nga kjo taksë paraqet rreziqe për qëndrueshmërinë afatmesme të të ardhurave,” thuhet në raport.
Bazuar në të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në vitin 2024 (18.6 miliardë lekë) dhe sipërfaqen e dhënë për ndërtim (2.5 milionë metra katrorë), rezulton se nga taksa e infrastrukturës arkëtohet 7.4 mijë lekë për metër katror. Me këtë të ardhurë për metër katror dhe duke supozuar që rreth 60% e të ardhurave nga taksa lokale janë nga ajo e ndikimit në infrastrukturë (rreth 14 miliardë lekë, edhe pse përqindja duhet të jetë më e lartë për shkak të rritjes së fortë të të ardhurave të ndikuara nga ky zë), sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi vetëm në 5 muajt e parë të vitit është të paktën 2 milionë metra katrorë.
Ky është një supozim, në mungesë të transparencës nga institucionet. I takon KKT-së të ofrojë te INSTAT informacion të saktë lidhur me sipërfaqen e lejeve që ajo ka dhënë për ndërtim në vitin 2025 dhe në pesë muajt e parë të vitit 2026.
Leje të shumta për kulla muajt e fundit
Katër mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë shqyrtuar disa qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, përfshirë projekte turistike, rezidenciale, infrastrukturë publike, si dhe ndërhyrje në energji dhe transport.
Një tregues indirekt i vrullit të lejeve të ndërtimit që po vazhdojnë të jepen në vend janë arkëtimet e ndjeshme nga zëri “Pushtetit vendor”, pjesa më e madhe e të cilës përbëhet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Të ardhurat nga pushteti vendor ishin 26.3 miliardë lekë për janar-prill 2026, me një rritje prej 118%, ose 14.2 miliardë lekë më shumë (rreth 150 milionë euro).
Sekuestrimet e SPAK zbulojnë pastrime masive parash në sektorin e ndërtimit
Sekuestrimet e fundit të SPAK kanë nxjerrë sërish në pah përdorimin e sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme si kanale të dyshuara për pastrimin e parave. Në njoftimet e qershorit, SPAK bëri të ditur goditjen e rrjeteve të dyshuara për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, me sekuestro mbi pasuri të shumta.
Sipas raporteve të SPAK, mes aseteve të sekuestruara përfshihen troje, apartamente, garazhe, vila, llogari bankare, shoqëri tregtare dhe pasuri të lidhura me projekte ndërtimi në Tiranë dhe zona bregdetare.
Rasti i shoqërisë “Nova Construction” është ndër më domethënësit, pasi vendimi i gjykatës ka vendosur sekuestro mbi tre kulla të lidhura me këtë kompani, e cila përmendet si një nga shoqëritë simbol të rritjes së ndërtimeve shumëkatëshe në Tiranë. Sipas raporteve, sekuestrot, që përfshijnë ndër të tjera tre kulla në kryeqytet, lidhen me dyshimet për pastrim parash në vlera të mëdha dhe investimin e të ardhurave të dyshuara kriminale në ndërtim. Shuma e sekuestros preventive arrin në mbi 128.4 milionë euro.
Në rastin më të fundit, SPAK njoftoi më 16 qershor sekuestrimin e një pakete të gjerë pasurish, ku përfshihen vila, apartamente, pasuri të paluajtshme dhe shoqëri tregtare, në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Sipas SPAK, hetimi lidhet me dyshimet se të ardhura me burim kriminal janë investuar në prona dhe aktivitete biznesi, duke e kthyer sërish sektorin e pasurive të paluajtshme në një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave.
“Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.,” thuhet në raportin e SPAK.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 milionë euro, sipas të dhënave të SPAK.
“`
