Tirana dhe Elbasani nën ndotjen e pluhurit, raporti zbulon ndotësit kryesorë të ajrit
Tirana dhe Elbasani vazhdojnë të shënojnë nivele të larta të grimcave PM10, duke tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar. Elbasani është gjithashtu qyteti i vetëm ku është tejkaluar norma për dioksidin e azotit (NO₂). Këto të dhëna dalin nga Raporti i Gjendjes në Mjedis 2025 i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).
Raporti bazohet në monitorimin e cilësisë së ajrit në nëntë stacione në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Matjet përfshijnë ndotës të rëndësishëm si grimcat PM10 dhe PM2.5, dioksidin e azotit (NO₂), dioksidin e squfurit (SO₂), ozonin (O₃), monoksidin e karbonit (CO) dhe benzenin, duke vlerësuar përputhshmërinë me standardet kombëtare dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas AKM-së, PM10 janë grimca pluhuri me diametër deri në 10 mikrometra, burimet kryesore të të cilave janë trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ngrohja me lëndë djegëse dhe burime të tjera. Këto grimca mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë sëmundje të zemrës dhe mushkërive, ndërsa ekspozimi afatgjatë rrit rreziqet për shëndetin.
Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, norma vjetore për PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi:
- Në stacionin “Tirana Higjena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, që përfaqëson 44% më shumë se kufiri i lejuar.
- Në Elbasan vlera arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, 49% mbi normë.
Raporti tregon gjithashtu se në stacionin “Tirana Higjena” u regjistruan 33 ditë me përqendrime të PM10 mbi kufirin ditor të lejuar, nga maksimumi prej 35 ditësh i lejuar brenda një viti.
Për grimcat edhe më të imëta, PM2.5, të cilat depërtojnë më thellë në mushkëri, AKM raporton se nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë stacion, megjithëse vlerat në Korçë ishin pranë kufirit.
Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), një ndotës kryesor nga gazrat e automjeteve dhe industria, tejkalim i vlerës kufi vjetore është regjistruar vetëm në Elbasan, me një mesatare prej 40.18 mikrogramë për metër kub.
Për ndotësit e tjerë:
- Nuk janë regjistruar tejkalime të kufijve për dioksidin e squfurit (SO₂).
- Tejkalime të normës tetëorëshe për ozonin janë evidentuar në Fier, Korçë, Shkodër dhe në dy stacionet e Tiranës.
- Për monoksidin e karbonit, tejkalimi është regjistruar vetëm në Fier.
- Për benzenin nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore.
Në përfundimet e raportit, AKM vlerëson se “cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e një niveli shumë të mirë”. Sipas institucionit, ndotësi kryesor mbeten grimcat PM10, veçanërisht në stacionet “Tirana Higjena” dhe Elbasan, ku burimi kryesor i ndotjes identifikohet trafiku rrugor. Monitorimet shumëvjeçare tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri lidhen me trafikun, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile për ngrohje.
