Ndryshime në Ligjin për Punësimin në Shqipëri

Qeveria propozon përgjysmimin e kuotës së detyrimit për punësimin e grupeve të veçanta.

Qeveria ka ndërmend të ndryshojë kriteret për kuotat e detyrueshme për punëdhënësit, të cilët duhet të punësojnë persona nga grupe të veçanta. Aktualisht, kompanitë kanë detyrimin të punësojnë një person me aftësi të kufizuara për çdo 25 punonjës të tyre. Sipas propozimit të ri, kjo kuotë do të ndryshojë në një punëtor nga grupe të veçanta për çdo 125 punonjësit e parë.

Gjithashtu, propozohet ulja me 50% e pagesës së kontributeve në rastet kur kuotat e punësimit nuk plotësohen.

Një projektligj i ri, i hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, sjell disa ndryshime në ligjin nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”. Këto ndryshime parashikojnë një regjim tranzitor deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndryshimi kryesor lidhet me kuotën e punësimit të personave nga grupet e veçanta:

  • Sipas ligjit aktual, çdo punëdhënës duhet të punësojë një person nga grupet e veçanta për çdo 25 punonjësit e parë, si dhe një person shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë.
  • Projektligji i ri propozon që gjatë periudhës tranzitore, punëdhënësit të kenë detyrimin të punësojnë një person nga grupet e veçanta për çdo 125 punonjësit e parë dhe një person shtesë për çdo 125 punonjës të tjerë.

Ndryshon edhe detyrimi financiar për kuotat e paplotësuara:

  • Sipas rregullit aktual, punëdhënësi duhet të derdhë në Fondin Social të Punësimit një kontribut të barabartë me 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo kuotë të paplotësuar.
  • Me projektligjin e ri, gjatë regjimit tranzitor, kontributi do të jetë 50% e pagës minimale në shkallë vendi për çdo person që duhet të ishte punësuar.

Sipas relacionit shoqërues, kjo qasje synon të krijojë kushtet për funksionimin gradual të Fondit Social të Punësimit dhe të mbështesë financimin e programeve për punësim, aftësim profesional, rehabilitim për punë dhe përshtatje të vendeve të punës.

Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pritet të zbatohet regjimi i plotë i kuotave të përcaktuara në ligjin nr. 15/2019.

Zgjerohen shërbimet për punëtorët e huaj

Projektligji sjell ndryshime edhe në trajtimin e shtetasve të huaj në tregun shqiptar të punës. Një nga ndryshimet kryesore është zgjerimi i kategorisë së përfituesve të shërbimeve të punësimit. Përveç shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi që ndodhen dhe qëndrojnë ligjërisht në Shqipëri për qëllime punësimi, përfshihen edhe ata që synojnë të hyjnë dhe të qëndrojnë ligjërisht në vend për të punuar. Kjo masë do të mundësojë ofrimin e informacionit, orientimin, këshillimin dhe ndërmjetësimin për punësim edhe para hyrjes së tyre në tregun shqiptar të punës.

Ky ndryshim synon të lehtësojë integrimin e fuqisë punëtore të huaj dhe të mbështesë punësimin e ligjshëm.

Projektligji gjithashtu harmonizon terminologjinë me legjislacionin aktual për të huajt, duke zëvendësuar termin “leje pune” me “leje unike”. Ky nuk është një koncept i ri, por një përmirësim dhe harmonizim terminologjik me kuadrin ligjor ekzistues.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rolin e punëdhënësve. Projektligji përcakton më qartë se punëdhënësit dhe subjektet e tregut të punës që zbatojnë programe aktive të tregut të punës do të konsiderohen përfitues të masave mbështetëse të parashikuara në ligj. Kjo krijon bazën ligjore për një përfshirje më të gjerë të punëdhënësve në masat e nxitjes së punësimit dhe qartëson statusin e tyre si përfitues të instrumenteve mbështetëse.

Projektligji synon gjithashtu të konsolidojë instrumentet ekzistuese të politikave të punësimit, duke përfshirë Garancinë Rinore, dhe parashikon hapa për integrimin e Shqipërisë në rrjetin europian EURES.

Një risi tjetër është forcimi i rolit të Observatorit të Tregut të Punës, i cili do të shërbejë për identifikimin më të mirë të nevojave për profesione dhe aftësi në treg. Projektligji parashikon gjithashtu zhvillimin e Pasaportës Digjitale, përmes së cilës qytetarët do të kenë akses në historikun e tyre të punësimit dhe aftësive.

Në përgjithësi, ndryshimet synojnë të përshtatin kuadrin e punësimit me nevojat e tregut dhe me procesin e integrimit europian, duke sjellë njëkohësisht një regjim tranzitor për kuotat e punësimit të personave nga grupet e veçanta, zgjerim të shërbimeve për fuqinë punëtore të huaj dhe instrumente të reja digjitale për tregun e punës.

Scroll to Top